#shkallët

10 February, 2017

Nga Drin Çela

Kur mendon për stereotipet shoqërore në një shoqëri si tonën, nuk din se nga t’ia fillosh. Vetë identiteti ynë kulturor është i mbushur me stereotipe – bile, sikur të mos ishin ato, kam drojë se nuk do të ishim të njëjtit, do të humbnim disa nga “karakteristikat” tona themelore. Stereotipet gjinore për shembull, i hasim në çdo hap që bëjmë e reflektojnë në çdo sferë të jetës.

Megjithatë, në video-projektin #shkallët, unë kam vendosur të trajtoj një çështje tjetër, ndoshta pak më të veçantë. Stereotipet shoqërore nuk janë thjeshtë ajo se si sillemi, por në rend të parë ajo se si e çfarë ndjejmë dhe mendojmë. Janë ndjenjat dhe mendimet tona, të kushtëzuara nga këto stereotipe, të cilat tutje përkthehen në veprime.

#shkallët është një video-projekt që në 1 minut, synon të trokasë në nëndijen e secilit. Ekziston një teori psikologjike se ajo se si i sheh shkallët, paraqet atë se si do t’i shfrytëzosh – për t’u ngjitur apo për të zbritur; për t’u zhvilluar apo për t’u degraduar? E nëse flasim për shoqërinë tonë, për karakteristikat e saj shoqërore, mjafton t’ia hedhim sytë shkallëve në hapësira publike: të rrënuara, jofunksionale, të mbuluara nga bora e akulli, gati të pakalueshme. A është e mundur të ngjitesh lartë me shkallë në këtë gjendje…

Sot, ne jemi më pranë moshatarëve tanë nga mbarë bota se kurrë. Qëndrojmë krah për krah. Teknologjia na ka mundësuar që barrierat kohore e gjeografike t’i tejkalojmë. Por çfarë t’iu bëjmë barrierave shoqërore? Edhe ato duhet ndryshuar. Duhet durim. Stereotipet shoqërore nuk janë krijuar brenda ditës, e as nuk mund të shuhen a të ndryshohen brenda ditës. E rëndësishme është që të fillojmë sot, në këtë moment, të jemi të zellshëm e të mos heqim dorë. Gabimi më i madh është që ne të jemi ata që vetes i vënë përpara pengesa për t’u ngjitur lartë e për t’u zhvilluar.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (3 votes, average: 4,67 out of 5)
Loading...

1 comment

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?