Barazia nuk dhemb e as nuk nënshtron

10 February, 2017

Nga Fatbardha Kiqina

Patriarkati nuk i dhemb askujt, patriarkati i lëndon të gjithë.

Ta konsiderosh veten feminist/e në trojet shqiptare dhe të veprosh si i tillë është ndër gjërat më të guximshme që mund të bësh, sepse do të thotë se ke lindur dhe je rritur mes një përplasjeje botësh e mentalitetesh. Do të thotë të kesh shpirt revolucionar e të drejtë, por që merr ajër patriarkati.

Kur njerëzit më pyesin se, pse unë jam feministe dhe ëndërrimtare e ithtare e të jetuarit në një botë, në të cilën, të gjitha qeniet e gjalla trajtohen njësoj, përgjigja ime është kjo:
“Sepse jam lindur dhe rritur mes dhimbjes së të parit gra të nënshtruara, forcës për të ndryshuar gjendjen e tyre, bindjes që unë nuk do të bëhem asnjëherë njëra nga ato dhe frikës që bija ime do të më mallkojë që edhe unë pa luftuar fare, sikur edhe shumë të tjera para meje, u bëra viktimë e procesit patriarkal të të nënshtruarit të grave. Unë mund edhe t’ia fal vetes që vendosa të bëhem viktimë, por ajo nuk do të ma falë që nuk bëra asgjë për të”.

Të jesh feminist/e do të thotë të ndihesh i mbërthyer dhe i shtrënguar fort nga ajo që tek ne quhet “tradicionalja”, ku burri komandon dhe vendos për fatin e secilit anëtar të familjes dhe mes asaj që e quajnë “moderne”, ku secili njeri vendos për atë se kush dëshiron të bëhet dhe çka dëshiron të bëjë. Kjo do të thotë që, mbetesh mes asaj se, si dëshirojnë të tjerët të të shohin dhe asaj se si dëshiron ta shohësh veten tënde. Nuk mund të jesh vetvetja dhe as të shndërrohesh në atë që duan të të shohin të tjerët.

Një ditë, një kolege kishte shkruar:
“Te shqiptarët cilësohesh e “çume peshë” veç pse i mbron t’drejtat e tua”.
Në fakt, mua si shprehje më pëlqen sepse, në thelb do të thotë të jesh dhe veprosh larg pritshmërive të të tjerëve, do të thotë se ke tejkaluar kapacitetin e asaj që e besojnë ata.
Tek e fundit, të çosh peshë do të thotë të jesh e fortë, sepse nevojitet forcë e madhe për të ngritur mentalitetin e dikujt që ta sfidon guximin dhe egon.

Jo rrallëherë, kur kam shprehur një mendim krejt të kundërt nga të tjerët, më është përplasur në fytyrë pyetja, që rrjedh pikërisht si produkt i një shoqërie misogjene, kurse në vazhdimësi del nga goja e atyre që, pandehin se janë të shkolluar e intelektualë:
“Ti je vajzë. Si guxon?”.
Në fakt, kjo pyetje ka shumë më tepër kuptim negativ brenda se sa që në realitet mund të duket.
Si guxon, je vajzë, je e dobët, je e nënshtruar.
Ti nuk di të mendosh sepse “vajzat i kanë flokët e gjata e mendjen e shkurtër”.
Faktikisht, gjatësinë e mendjes sime nuk e kam matur asnjëherë dhe nuk besoj ta ketë bërë dikush ndonjëherë. Megjithatë, po të matej, jam e bindur që gjatësia e flokëve të mi do të ishte më e madhe se kufiri, me të cilin, disa individë vendosin t’i kufizojnë mendimet e tyre, dhe të njëjtat, mundohen t’ua imponojnë edhe të tjerëve.
Këtyre “intelektualëve të shkolluar”, nuk e di se çka u dhemb më shumë:
Fakti që vajzat po fuqizohen e nuk do të kenë kë ta nënshtrojnë më, duke u thirrur në emër të gjinisë e dijes, shkaku që, tash e sa kohë shumë nga to po shkollohen e po sfidojnë njohuritë në profesionet “mashkullore” apo, zhgënjimi nga mendimi që, vajzat i shohin si objekte të bukura, të buta dhe lehtësisht të thyeshme e të lëndueshme, por që realisht, nuk janë aspak të tilla.

Njerëz të dashur,

Feministët nuk e urrejnë gjininë mashkullore, e urrejnë nënshtrimin e grave dhe superioritetin e burrave.
Feminizmi nuk i largon gratë nga burrat, e afron njerëzimin.
Patriarkati nuk lëndon dhe cenon vetëm të drejtat e vajzave e grave, e krijon një botë të madhe, por me njerëz të vegjël e egoistë, që thirren në emër të fuqisë fizike, për të nënshtruar të tjerët.
Barazia nuk dhemb dhe as nuk e shtyp askënd.

 

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 5,00 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?