Ndotja e ajrit në Kosovë

10 February, 2017

Nga Desantila Muriqi

Ndotja ajrit në Kosovë është një vrasëse e ngadalshme. Ajri në Kosovë është i ngarkuar me ndotës vdekjeprurës siç janë dioksidi i sulfurit dhe oksidi i azotit – dy toksina helmuese të ajrit.  Krahasuar me vitin 1948, në vitin 2011 popullsia totale tregon një rritje prej 137.3%, popullsia rurale prej 62.9%  ndërkohë që popullsia urbane tregon një rritje prej 827.4%. Pra trendi i rritjes së popullsisë urbane ka qenë shumë më i madh se trendi i rritjes së popullsisë totale dhe popullsisë rurale.

Vendet më të rrezikshme për frymëmarrje në Kosovë janë qytetet dhe zonat urbane. Edhe pse zonat urbane në disa aspekte ofrojnë përparësi krahasuar me zonat rurale (ato janë më kompakte, kanë efikasitet në ofrimin e ujit, energjisë elektrike, rrugëve dhe ofrojnë shërbime më të mira për mbeturina, …) ndikimi i tyre negativ në mjedis është shumë më i lartë se i zonave rurale. Cilësia e ajrit është veçanërisht e ulët në Prishtinë, Obiliq, Drenas dhe Mitrovicë.

Cilësia e dobët e ajrit në Kosovë është shumë shqetësuese. Megjithatë nuk i jepet vëmendja e nevojshme. Për këtë ndotje e cila ndikon keq në shëndetin e qytetarëve, shoqëria civile reagoi me manifestime të ndryshme, por situata nuk ka ndryshuar. Në të vërtetë, ajo është bërë më e keqe.

Në Ditën e Tokës më 2016, së bashku me partnerë të tjerë të projektit, PIKS dhe SfCK organizuan një festival të quajtur ” Science for Change Festival: Change is in the Air!”, ku paraqitën rezultatet e tyre. Ky festival nuk pati përkrahjen e mediave.

Hulumtimet shkencore tregojnë që ndotja e ajrit ka ndikim të madh në shëndetin publik. Ndotja e ajrit ka efekte të shumta negative për ekosistemet me ndikim në biodiversitet dhe mjedis, në shëndetin e njeriut me sëmundje të ndryshme, dhe në trashëgiminë kulturore me dëmtimin e ndërtesave të banimit dhe objekteve tjera.

Aktualisht kontribuesit më të mëdhenj të ndotjes së ajrit në Kosovë janë KEK-u që përfshin termocentralet Kosova A dhe Kosova B të ndërtuar në komunën e Obiliqit. KEK mbulon rreth 97% të nevojave energjetike të popullsisë së Kosovës. Energjia në këto termocentrale prodhohet për rreth 50 vjet dhe deri në vitet e fundit pa ndonjë interes për ndikimin e pasojat mjedisore. Prodhimi i qymyrit në Kosovë është i lartë. Në vitin 2014 janë prodhuar 7.204,2 tonelata. Përveq KEK-ut dhe minierave të linjitit në Obiliq ndotës të ajrit të Kosovës janë edhe kompleksi industrial në Mitrovicë, Ferronikeli në Gllogovc, fabrika e çimentos SharrCem në Han të Elezit, fabrika e industrisë kimike dhe industrisë së gomës BALLKAN në Suharekë, … etj; Përveq industrisë, ndotës të ajrit llogariten të jenë edhe trafiku, bujqësia si dhe deponitë e mbeturinave urbane dhe industriale.

 Konsumimi i energjisë

  • Shumica e popullsisë përdor qymyrin apo elektricitetin për ngrohje. Ngrohtoret gjenerojnë rreth 3% të kërkesës së Kosovës për ngrohje. Godinat e ngrohjes qendrore furnizojnë pjesët më të dendura të qyteteve dhe ndërtesave publike, si spitalet, shkollat ​​dhe ndërtesat administrative. Që nga viti 2014 sistemi i ngrohjes të Prishtinës ka filluar të përdorë procesin e kogjenerimit. Ky proces për ngrohjen e ndërtesave është më i përshtatshëm për mjedisin për shkak se është drejtpërdrejtë i lidhur me sistemin e ftohjes së termocentralit B.
  • Transporti është gjithashtu një kontribues i madh për ndotjen e ajrit. Emetimet e makinave në Bashkimin Evropian janë të rregulluara në mënyrë rigoroze, por rregullat e tilla zbatohen vetëm për makinat e reja. Kjo do të thotë se makinat më të vjetra nuk mund të posedojnë teknologji për t’i kontrolluar emetimet e grimcave në ajër. Kjo paraqet probleme në Kosovë, pasi që një pjesë e madhe e importit lokal përbëhet nga automjete të prodhuara në Bashkimin Evropian. Reduktimi i emetimeve nga automjetet në Kosovë kërkon një strategji për makina të vjetra pasi që shumica prej rreth 390.000 automjeteve në vendin tonë i takojnë kësaj kategorieje. Jeton Mehmeti, nga Instituti GAP ka thënë se qeveria e Kosovës duhet të zëvendësojë politikën e importit të automjeteve nga ajo aktuale me importin e automjeteve në bazë të Euro standards. Mehmeti beson se kjo çështje poashtu duhet të rregullohet në qendrat e kontrollit teknik, ku makinat nën standardin Euro-4 nuk duhet të kalojnë testin .Më shumë se 90% e automjeteve në Kosovë janë të vjetra. Mosha mesatare e makinave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjeç, apo 10 vjet më shumë se mesatarja e automjeteve që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian.
  • Shpyllëzimi nuk është një shkak i ndotjes së ajrit, por është një arsye e madhe që shkalla e ndotjes së ajrit nuk është në rënie. Shpyllëzimi është një nga historitë më trishtuese të degradimit të habitatit natyror të Kosovës, sidomos duke pasur parasysh se ripërtëritja e drunjëve të humbur merr dekada. Shpyllëzimi me prerjet ilegale, zjarret dhe forma të tjera të shkatërrimit kanë tkurrur male dhe zona pyjore të shumta të Kosovës dhe i kanë kthyer ato në shpate të zhveshura dhe shkurre. Shkaku kryesor i këtij fenomeni është kryesisht i natyrës ekonomike ku dominojnë varfëria dhe kushtet e vështira ekonomike.Kjo ka bërë që më shumë se 95% e përdorimit të drurit të paligjshëm të përdoret si dru zjarri nëpër shtëpi.

Qeveria e Kosovës ka hartuar dhe miratuar “Strategjinë dhe Planin e Veprimit Multimodal për Transportin”. Qëllimi kryesor i kësaj strategjie është sistemi i transportit multimodal (rrugor, hekurudhor dhe ajror) i cili do kontribuojë në rritjen ekonomike përmes krijimit të integruar, me kosto të ulët dhe efikas që nuk e kërcënon mjedisin. Në këtë dokument janë të identifikuar faktorët e ndotjes së mjedisit-mbrojtja e të cilit duhet të merret parasysh para çdo vendimi zhvillimor e çdo projekti infrastrukturor. Në këto zona duhet të merren parasysh faktorët që ndikojnë në dëmtimin e ekosistemeve, faktorët hidrologjik, rrëshqitjet e tokës, ndotja e ajrit, menaxhimi i mbeturinave, etj

Në Strategjinë për Ndryshimet Klimatike(CCS), nga 2014 deri 2024, si pjesë e masave të propozuara në këtë sektor janë: reduktimi i emisioneve të gazrave serrë, zvogëlimi i zhurmës dhe zhvillimi i infrastrukturës rrugore të favorshme për mbrojtjen e mjedisit. Ndërsa në Strategjinë për Mbrojtjen e Mjedisit 2013-2022, objektivi kryesor është vendosur të jetë reduktimi i ndikimit të sektorit të transportit në mjedis. Kështu është vendosur që projektimi, zhvillimi dhe funksionalizimi i sistemit të transportit të jetë i qëndrueshëm dhe i sigurt, në përputhje me kërkesat e mbrojtjes së mjedisit.

Ndotja e ajrit është një ndër problemet kryesore me të cilat duhemi të ballafaqohemi.Është e dëmshme për të gjitha gjallesat. Vetëm imagjinoni një ditë të jemi të detyruar të përdorim maska sa herë dalim jashtë shtëpisë; ose të mos jemi në gjendje të hapim dritaret e shtëpive tona në ditët e nxehta të verës. Ose edhe më keq, imagjinoni veten duke shikuar nga dritarja dhe duke mos mundur të shihni asnjë formë të jetës. E gjithë bimësia të jetë shkatërruar për shkak të shiut acid dhe kimikateve të tjera . Disa nga këto ide mund të bëhen realitet në qoftë se të gjithë ne nuk bëjmë çdo gjë që është e mundur për të ndaluar këtë fenomen katastrofik që po shkaktohet nga vetë ne!

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (4 votes, average: 4,75 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?