Nga Besar Gergi
Ëndrrat dhe utopitë, vende pa asnjë problem, janë shumë te lakmueshme por gjithashtu kanë edhe një të përbashkët: që të dyja nuk janë reale. Si çdo vend i botës pa përjashtim, edhe Kosova përballet me probleme të lloj-llojshme çdo ditë. Dallimi mes shteteve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, është se përderisa këto të parat merren me probleme më të avancuara, shtetet e kategorisë sonë merren me çështje më elementare. Në rastin tonë kjo është papunësia dhe më saktësisht, papunësia në rini. Statistikat e fundit tregojnë një pasqyrë tmerruese: gati 60% e rinisë është e papunë! As përfundimi i studimeve universitare nuk ndihmon, sepse sipas USAID, 13 nga 36 veta që përfundojnë studimet bachelor, nuk gjejnë dot punë. Këto shifra na bëjnë që të ndalemi dhe të mendojmë: çfarë po bëjmë gabim?
Papunësia në mesin e të rinjve është një çështje që për një kohë diskutohet shumë në rrethet shoqërore dhe intelektuale, për të cilën megjithatë nuk është ofruar ndonjë zgjidhje konkrete. Shkaktarët e këtij fenomeni janë të shumtë, por për hir të thjeshtësisë mund të themi se kryesorët janë tre: sistemi i prapambetur arsimor, stigmat shoqërore si dhe një ngurrim i rinisë për të ndërmarrë veprim. Përderisa për këtë të parën do të flasë më tutje, së pari do të filloj me paragjykimet sociale. Ne fillojmë të ndikohemi nga këto rryma që nga mosha e vegjëlisë, kur edhe jemi më të pambrojtur. Rrethi ynë vazhdimisht na imponon botëkuptimet e tyre mbi ne, të cilat fatkeqësisht janë kryesisht pesimiste. Kur ne plotë shpresë ndajmë planet tona me ta rreth një ideje apo projekti, reagimi më shpesh se rrallë është “s’munesh n ‘Kosovë”. Kur këto eksperienca bashkohen me mendimet rreth emigrimit jashtë vendit, si “shpëtim nga ferri”, rinia pasivizohet në pikën ku nuk ka vullnet për asgjë. Pra, mund të thuhet se paaftësia e brezit tonë për t’u përballur me sfidat e tregut të sotëm, buron nga bindjet e njerëzve rreth nesh ndaj situatës aktuale.
Në aspektin e punësimit, këto paragjykime na ndjekin që nga mosha e fëmijërisë e deri te përzgjedhja e profesionit. Fëmijët vazhdimisht përballen me presion nga shoqëria dhe familja e tyre sa i përket përzgjedhjes së shkollës. Një nxënës i mirë gjithmonë “duhet” të vijojë mësimet në gjimnazin e shkencave natyrore, edhe pse ai/ajo mund të ketë prirje ndaj shkencave shoqërore. Ndërsa gjimnazi teknik nuk është fare opsion për një inxhinier të ardhshëm, pa marrë parasysh se sa adekuat është edukimi për të. Imponimi vazhdon edhe kur mbarohet shkolla e mesme, sepse nxënësit jo domosdo të suksesshëm akademikisht, detyrohen të vazhdojnë me studime të larta, vetëm për hir të kërkesave të rrethit shoqëror. Po ashtu vlen të theksohet se disa drejtime të caktuara si arti pamor, muzika dhe të ngjashme, dekurajohen fuqishëm nga të tjerët. Por edhe pas mbarimit te universitetit, kërkesat janë që të punësohemi te sektori publik, i cili edhe ashtu vuan nga stërngarkesa me teknokrat. Në këtë mënyrë, shpirti i ndërmarrësisë në të cilën mbështeten ekonomitë më të zhvilluara në botë, te shteti ynë humbet brenda burokracisë. Për shembull, sikur Steve Jobs të punonte në administratën shtetërore, ne kurrë nuk do të kishim telefonat e mençur. Pra lirisht mund të themi se shoqëria kryesisht ndikon negativisht mbi rininë, e cila kombinuar me pasivitetin e shtetit, prodhon një “gjeneratë të kafeterive”.
Mbi sistemin edukimor të Kosovës janë bërë shumë shkrime, në veçanti kohëve të fundit kur u publikuan rezultatet e provimit PISA. Në përgjithësi, u arrit në përfundimin se ndonëse nxënësit tanë janë mjaft të pjekur intelektualisht, gjë që e besoj me gjithë shpirt, sistemi arsimor është ajo që i mban peng ata. Kjo mund të vërtetohet lehtë me sukseset e studentëve kosovarë në universitetet më të mira anë e mbanë globit. Por për ta kuptuar problemin edhe më mirë, duhet të shkojmë pak më tutje dhe të kuptojmë çka më saktësisht nuk shkon me këtë zgjidhje. Provimi PISA, organizohet për të matur në një farë mënyre efektivitetin e arsimit të mbi 70 vendeve të botës. Duhet të kemi parasysh se ajo matë se sa praktike janë njohuritë e fituara në shkollë dhe jo nivelin e zotërimit të tyre. Pra ajo nuk matë se sa mirë e kanë mësuar nxënësit lëndën e fizikës, por se sa i’u duhen njohuritë e fituar nga lënda në jetën e përditshme. Nga kjo mund të kuptojmë se kurikula në Kosovë është shumë abstrakte dhe në mungesë të kushteve elementare si laboratorët, ajo bëhet edhe më e pakapshme. Këtij problemi duhet t’ia shtojmë faktin se sistemi ynë është jashtëzakonisht i përgjithshëm. Në nëntë vitet e para të shkollës, edhe piktori edhe matematicienti i ardhshëm mësojnë lëndë identike. Dallimet fillojnë në shkollën e mesme, por edhe ato nuk janë specifik mjaftueshëm, pasi që çdo kush që njeh nxënës të gjimnazeve shoqërore dhe natyrore din se dallimi mes kurikulave është sipërfaqësor. Kështu ndodh që një student i gjimnazit shoqëror të mësojë për tre vjet lëndën e biologjisë përderisa ai i natyrorit mëson për të njëjtën kohë histori.
Pasi që kjo është një pyetje shumë e vështirë për t’u përgjigjur pa menduar “jashtë kutisë”, ne duhet t’i vëzhgojmë vendet e zhvilluara që të kuptojmë çfarë dallimi ekziston në sistemet edukimore dhe politikat rinore. Kandidati më i mirë do të ishte Gjermania, pasi që ka tipare të ngjashme me Kosovën, më saktësisht një ekonomi të shkatërruar nga lufta (Lufta e Dytë Botërore) dhe pjesa lindore që ka përjetuar komunizëm një ashtu si vendi ynë. Bazuar në këto të dhëna, dikush mund të mendonte se Gjermania duhet të jetë një vend që me dekada vuan nga ngecja ekonomike, por përkundrazi, ajo veçohet si një nga shtetet me ekonominë më të mirë në botë dhe shkallë të papunësisë në rini prej vetëm 1.1%. Por si arritën gjermanët që përballë gjithë këtyre vështirësive të dalin fitimtarë? Përgjigja gjendet në sistemin e arsimit, që dallon rrënjësisht nga ajo e jona.
Sistemi gjerman i edukimit veçohet për seleksionimit rigoroz që i bën nxënësve të saj. Që në klasë të pestë, nxënësit ndahen në sisteme ku fokusohen në fushën akademike apo profesionale. Ndërsa në shkollë të mesme, ndarja bëhet edhe më e dalluar, ku studentët e shkollave profesionale kalojnë gati 1/3 e kohës së tyre në punë praktike. Këto shkolla kanë rreth 50% të gjithë nxënësve gjerman, një statistikë që në vendin tonë është vetëm afro 15%. Në përfundim të edukimit të mesëm, këta të rinj janë në gjendje të punësohen menjëherë dhe nuk kanë nevojë që t’i vazhdojnë studimet e larta. Plotësisht të aftë në profesionin e tyre, ata i bashkohen ushtrisë së të punësuarve në vend se të enden të papunë. Kështu, industria gjermane furnizohet çdo vjet me profesionistë inovativ që e zgjerojnë fushën e veprimit të këtyre kompanive. Pra, megjithëse shteti në fillim investon më tepër në shkolla profesionale, ky investim shpaguhet kur statusi i këtyre të rinjve transformohet automatikisht nga “student” në “i punësuar”.
Ky është në një kontrast të thellë me Kosovën, ku as edhe një nga pesë nxënës nuk e vijon edukimin e mesëm në shkolla profesionale. Këtu kryesisht ndikon stigma shoqërore rreth këtyre institucioneve edukimore që mendohen si vende të përshtatshme vetëm për nxënës problematikë, që padyshim është i gabuar. Sfida për ata që i zgjedhin këto shkolla nuk përfundojnë këtu. Këta nxënës më tutje duhet të përballen me mungesën e mjeteve adekuate për punë praktike sepse fondet për këto institucione janë të cunguara. Pra përsëri, ata duhet të luftojnë kundër çdo sfide deri kur të përfundojnë shkollën e mesme. Në këtë fazë, hyn në lojë mentaliteti i “një universiteti për të gjithë”, ku shoqëria vendos presion mbi të rinjtë që të vazhdojnë me studime bachelor. Si rezultat, me mijëra nxënës që jo domosdo i shijojnë studimet akademike, i humbin 3 vjet të jetës së tyre duke studiuar lëndë që iu imponohen nga rrethi i tyre. Në përfundim, tregu i punës stërngarkohet nga mijëra menaxherë, avokatë, ekonomistë dhe ka deficit në fusha tjera.
Pas analizimit të të gjitha të dhënave dhe faktorëve që na sjellin gjendjen tonë në një situatë kaq të mjerueshme, mund të konkludojmë se na duhet një ndryshim urgjent në sistemin tonë edukativ dhe vlerat shoqërore. E gjithë kjo fillon me një ndryshim të rrënjësishëm në sistemin arsimor në vend, duke e bërë atë më të lloj-llojshëm që t’i përshtatet sa më shumë personaliteteve të veçanta të secilit nxënës. Duhet të ndryshojë dhe filozofia edukimore, që të japë shtysë drejt përdorimit të talenteve të të rinjve, që të mund të kemi edhe ne ndonjë Pablo Pikaso apo Elon Musk. Por për arritjen e suksesit në këto politika, duhet patjetër të ketë përkrahje nga shoqëria, e cila duhet ta kuptojë një herë e mirë se secili individ ka aftësi të veçanta dhe jo çdokush duhet të bëhet mjek apo inxhinier. Për fund fare, në kryqëzimin mes të gjithë faktorëve shfaqen institucionet shtetërore, të cilët duhen t’i përkrahin këto politika dhe t’i akordojnë fondet e nevojshme. Edhe pse një sistem i tillë do të ishte shumë i kushtueshëm, ai padyshim që do të shpaguhej. Rasti më i mirë i takon Singaporit që harxhon më shumë se 1/5 e buxhetit për arsim dhe nuk është aspak çudi që nxënësit e tyre vazhdimisht dalin si më të mirët në botë. Sigurisht që kemi shumë punë për të bërë, por ndryshimi fillon nga ne, të rinjtë.