Mungesa e psikologëve shkollorë në Komunën e Deçanit.

16 March, 2017

 

Psikologët në shkolla janë jashtëzakonisht të nevojshëm duke ditur ndikimin që ata kanë te nxënësit dhe duke u bazuar në problemet e shumta që ndodhin në shkollat e vendit tonë. Në disa raste, problemet mes nxënësve mund të kenë edhe me dëme fatale siç mund të jenë vrasjet, e një prej arsyeve të paraqitjes së tyre cilësohet mungesa e psikologëve në shkolla.
Shumë herë është kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit që të mundësohet prania e psikologëve në shkolla. Edhe përfaqësuesit e këtyre të fundit ndajnë të njëjtin mendim. Duke shprehur shqetësimin se edhe vetëm një psikolog për disa shkolla nuk është i mjaftueshëm, njëkohësisht ata thonë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të punësuar psikologë të tjerë.

Sipas informatave të Departamentit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, në mbi 700 shkolla që funksionojnë në Kosovë ka të punësuar vetëm 87 psikologë dhe pedagogë, një shifër kjo tejet e ulët duke konsideruar rëndësinë e tyre.

Në listën e komunave që nuk kanë psikologë në shkollat e tyre bën pjesë edhe Deçani. Në këtë komunë nuk ka as edhe një psikolog shkollorë të punësuar. Kjo gjendje nuk është e kënaqshme as për nxënësit dhe profesorët e as për stafin drejtues.
Ish-drejtori i shkollës më të madhe në Deçan, Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, tashmë mësimdhënës i lëndës së Gjuhës Shqipe në këtë shkollë, z.Musa Stojkaj thotë se psikologët janë tejet të nevojshëm për shkolla. “Shkolla jonë nuk ka pasur asnjëherë psikologë dhe jemi të vetëdijëshëm se duhet të ketë të paktën një të tillë. Jo vetëm nxënësve ju duhet psikologu shkollor, por do ishte edhe për ne mësimdhënësit më e lehtë, pasi do të mund të bisedonim me psikologun rreth nxënësve kur ndonjëherë nuk i kuptojmë disa nga nevojat speciale të tyre. Sigurisht, do ishte më e lehtë edhe për prindërit“- thotë ai. Në pyetjen se përse nuk ka pasur dhe nuk ka psikologë në shkollën e tyre, Stojkaj u përgjigj se ka mungesë të fondeve, por që do mundohen që në të ardhmen e afërt të realizojnë një kërkesë të tillë. Tani për tani nuk kanë në dorë diçka që do të mund të ndryshonte këtë situatë.

Edhe profesoresha e psikologjisë në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri“ të Deçanit, znj.Venera Mushkolaj, ndanë mendimin e njejtë sa i përket nevojës së shkollave për psikologë.
“Psikologu ndihmon në sistemin shkollor, ndihmon nxënësit, mësuesit dhe prindërit në marrëdhëniet midis njëri-tjetrit dhe veç e veç. Psikologët në shkolla përpos bisedave private, mund të realizojnë edhe trajnime të ndryshme psikologjike të nevojshme për nxënësit. Ata mund të administrojnë edhe teste psikologjike dhe intelegjence për nxënësit dhe të ndihmojnë këta të fundit që të integrohen në procesin e mësimnxënjes. Roli i psikologut është të ndihmojë individët dhe komunitetin që të kenë një mendje të shëndoshë. Dhe sigurisht, psikologët sigurojnë kushtet dhe ambientin e duhur që individi të ketë hapësirën të shprehet lirshëm rreth çdo gjëje“– thotë ajo,

Nxënësit kanë rolin kryesor në shkollë dhe psikologët kërkohen në të mirë të tyre. Edhe nxënësit e shkollave ndjejnë nevojën që të kenë psikologë në shkollat e tyre. Nxënësi Altin Zejnaj nga shkolla fillore“Avni Rrustemi”në fshatin Irzniq të Deçanit, thotë se shkolla e tyre nuk ka ndonjë psikolog dhe që ai dhe nxënësit e tjerë shumë herë kanë shprehur dëshirën të kenë një. “Do ishte më e lehtë për neve“– thotë ai, “Do kishim një vend ku do të mund të shpreheshim lirshëm për gjithë çfarë mendojmë dhe ku do të na kuptonin plotësisht“.

Edhe nxënës të tjerë nga shkolla të ndryshme ndajnë të njejtin mendim. Genita Sadrijaj nga Gjimnazi “ Vëllezërit Frashëri” dhe Ardhmerie Zejnaj nga  Shkolla e Mesme Teknike “Tafil Kasumaj” thonë se do donin të kishin një psikolog në shkollat e tyre, me shpresën që zënkat mes nxënësve të ndalonin ose të paktën të ishin më të rralla dhe që nxënësit të mund të shprehin atë që mendojnë pa pasur paragjykime. “Unë mendoj se po të kishim një psikolog në shkollën tonë, problemet mes nxënësve do të pakësoheshin.” – shprehet Genita. Edhe Ardhmeria është e këtij mendimi. “Në shkollën tonë vërehet shumë mungesa e psikologut shkollor. Më duket më së e nevojshme që të kemi psikologë në shkollë.” – thotë ajo.

Të gjithë aktorët relevant tregojnë se sa të nevojshëm janë psikologët, jo vetëm në shkollat e Deçanit, por në çdo shkollë të Kosovës. Fatkeqësisht përmbushja e kësaj nevoje nuk është plotësisht në duart e tyre. E megjithatë, ka shpresë që në të ardhmen e afërt statistikat për numrin e psikologëve shkollorë në Kosovë, do të ndryshojnë për të mirë.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (8 votes, average: 4,63 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?