Të qenurit ndryshe është bekim!

16 March, 2017

Deçani, ky qytet kaq  i vogël që ka ofruar kaq pak mundësi për personat me nevoja të veçanta, që i ka etiketuar e diskriminuar duke mos ua plotësuar nevojat elementare për zhvillimin e tyre.

Ata kanë shumë nevoja por ky vend nuk iu ofron kushtet e nevojshme për të jetuar si të gjithë të tjerët. Megjithatë ka raste që këta fëmijë përkrahen deri në një masë, edhe pse ka ende shumë për të bërë.

Shkolla fillore ”Lidhja e Prizerenit” është njëra nga 20 shkollat e kësaj komune që ka krijuar një klasë të veçantë për personat me nevoja të veçanta. Ajo klasë numëron 6 nxënës, 2 nxënës me Sindromën Down, 2 me r.t.p., 1 me zhvillim të vonuar dhe 1 me autizëm të shkallës së lartë.

Nga intervista që kemi bërë me mësuesen e kësaj klase, zonjën M.D., kemi marrë një perspektivë direkte ndaj kësaj qështje. Ajo ka thënë se klasa ka mungesa më të mëdha sesa thjesht “lodra”.  “Kemi mungesë të  mjeteve didaktike, s’mund të zhvillohet mësimi vetëm me libra e fletore. Ka 5 vite që jam mësuese e kësaj klase dhe komuna asnjëherë  s’ka bërë ndonjë aktivitet për këta fëmijë. Çdo gjë që kam bërë për ta ka qenë e financuar nga unë. Klasa është në gjendje të keqe dhe nuk plotëson kushtet e nevojshme. Pas shumë kërkesave, drejtori i kësaj shkolle ka arritur që të siguroj një tepison edhe disa çanta që mua më ka ardhur turp tua tregoj prindërve. Kanë qenë aq të dobëta sa janë prishur ende pa u përdorur. Materiali i cilësisë më te dobët vie tek ne.” – ka treguar zonja M.D.

Mësuesja më tutje tregon se cilat vende ka vizituar me fëmijët dhe çka bëjnë ata në ditët e festave, si 28 Nëntori, dita e autizmit e kështu me rradhë. “Unë si mësuese jam përpjekur që ti inkuadroi fëmijët në programet e shkollës që janë bërë për festa të ndryshme. I kam dërguar në muze, tek stacioni  i radios, bibliotekë e shumë vende të tjera. Kemi bërë edhe punime të ndryshme ku disa prej tyre edhe I kemi shitur brenda shkollës, e për të cilat është treguar  një interesim mjaft i madh. Me paratë e fituara kemi blerë gjësende të nevojshme për klasën. Ne kemi bashkpunim edhe me një prej klasëve të parashkollorëve, me të cilët organizojmë aktivitete së bashku.  Së fundi kemi dalë së bashku që ta festojmë ditën e pavarësisë.”

   

Mësuesja vazhdon tregimin e saj për pengesat që ka hasur gjatë këtij rrugëtimi.  “Problemi më i madh që kemi pasur kanë qenë nxënësit e tjerë të shkollës. Ata s’kanë mundur që ti pranojnë në mesin e tyre këta fëmijë. I kanë sharë, ofenduar e janë tallur me ta. Sikur të ishin vetëm nxënësit e tjerë personat e vetëm që i gjykojnë këta fëmijë, por janë edhe prindërit dhe një pjesë e madhe e njerëzve që i shikojnë me një sy tjetër. Më ka ndodhur shpesh rrugës teksa vie për në punë ti dëgjoi njerëzit të thonë: “KJO BUDALLICA QE I MËSON BUDALLT.”! Në vend që të më përgëzojnë për punën që bëj, më thonë: “ ZOTI T’NIMOFT.”

“Kam bërë shumë kërkesa drejtuar DKA-së për sigurimin e transportit për këta fëmijë, për një klasë më të mirë mirëpo asnjëherë s’kam marrë përgjigje. Të vetmit që sado pak interesohen për këta fëmijë janë Drejtori dhe zv. Drejtori i shkollës.”

Mësuesja ka edhe një tjetër hall, ajo asnjëherë nuk është thirrur në mbledhjet e shkollës kur është bërë raportimi për arritjen e nxënësve. Nuk i kërkohet një plan adekuat, ndonëse ajo e ka tashmë një të tillë. Nga 14 vitet sa egziston kjo klasë s’ka pasur ndonjëherë një ditar të klasës. E të gjitha këto ajo i tregon me një mllef e dëshpërim të madh, në të njejtë kohë duke shprehur një shpresë që një ditë diçka do të ndryshojë për këta fëmijë.

Kjo gjendje është e dhimbshme! Po jetojmë në kohën kur në shkollat tona po futet arsimi gjithpërfshirës, ama vetëm si term; kur klasat e bashkangjitura cilësohen veç si klasa që nuk kanë asgjë tjetër perveç mureve dhe një dere ku hyjnë njerëz të etiketuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Njerëzit duhet ta kuptojnë se personat me nevoja të veçanta janë pasqyrim i sjelljes dhe trajtimit tonë ndaj tyre, e siç shihet ne nuk kemi pikë njerzillëku karshi tyre.
T’iu japim mundësinë, t’iu ndryshojmë jetën!

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (17 votes, average: 4,94 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?