Ti merr drogë, droga të merr jetën!

16 March, 2017

Substancat narkotike janë ato lëndë që me sasi të disa miligramëve çrregullojnë dhe destabilizojnë funksionet mendore, zvogëlojnë vigjilencën, qojnë në rritje progresive të dozave dhe shkaktojnë varësi pas një përdorimi disa ditor ose javor. Përdorimi i vazhdueshëm i tyre bën që të ulet veprimtaria e trurit dhe të prishet ekuilibrin i sistemit mendor, gjë që largon personin nga jeta dhe veprimtaria e përditshme shoqërore. Në këtë rast mund të shfaqen sëmundje mendore si psikopatia, humbja e shpejtë e vetëdijes, pagjumësia, halucinacionet, humbja e kujtesës dhe shumë efekte tjera të dëmshme.

Arsyet e përdorimit të substancave narkotike janë të shumta. Disa të rinjë rrëmbehen nga kurreshtja dhe duan të provojnë efektin e këtyre substancave, të tjerët i përdorin substancat narkotike për t’u lehtësuar nga problemet që kanë, dhe si rrjedhojë krijojnë varësi ndaj tyre. Ka edhe nga ata të rinjë që shtyhen të përdorin substancat narkotike nga miqtë ose ndikohen nga idhujt e tyre. Por ekziston një numër më i madh i substancave të cilat përdoren në zëvendësim të një droge apo tjetre. Shumë nga këto substanca mund të shërbejnë si drogë, përfshirë këtu qetësuesit e dhimbjeve që mund të përmbajnë dozë të konsiderueshme të drogës, alkooli, nikotina, kofeina, drogat klinike dhe drogat e paligjshme aktive. Të rinjtë konsiderohet se i përdorin shumë këto substanca, situatë kjo që sjell shumë efekte të padëshirueshme.

Fitore Shala, anëtare e Qendrës për Punë Sociale mendon se të rinjtë e moshës 16-18 vjeç i përdorin shumë substancat narkotike, por thotë se duhani është më së shumti i përhapur te të gjithë të rinjtë, si tek vajzat ashtu edhe tek djemtë.
“Sa i përket mendimit tim si sociologe, përdorimi i këtyre substancave është më i përhapur në qytetet më të mëdha të Kosovës, si Prishtina, Peja, Ferizaji, Prizreni dhe Gjilani, në ato qendra ku ka zhvillim më të madh dhe qarkullim të grupeve të ndryshme “ – tha ajo.

Më tutje, Fitore Shala shtoi se që nga pas lufta dhe hapja e kufinjëve, grupe të ndryshme kriminale e kanë pasur më të lirë tregun dhe më së shumti i kanë shfrytëzuar të rinjtë si përdorues dhe shitës të drogave. Ajo mendon se ka faktorë të ndryshëm shoqërorë që ndikojnë në përdorimin e narkotikëve nga të rinjtë.
“Duke u nisur nga fakti se tani kontrolli i familjes mbi të rinjtë ka pësuar ulje të madhe , pastaj edhe shkolla nuk ka ndonjë kontroll të madh sepse mungojnë psikologët, është e vështirë për të vërejtur problemet me të cilat përballen të rinjtë, probleme të cilat munden me qenë familjare; pastaj është ndikimi i moshës së tyre dhe ndryshimet që pëson i riu në moshën e adoleshencës, të cilat shpesh ndikojnë që ai/ajo të humbë kontrollin mbi veten e tij/saj. Të rinjë i tërheq edhe fitimi i parave, pasi shitjen e drogës e gjejnë si një mënyrë më të lehtë për të fituar para. Shpesh këtu nis edhe përdorimi i këtyre substancave, ku në momentin kur fillohen të konsumohen, është vështirë të stopohet përdorimi i tyre, sepse personat krijojnë varësi. “ shtoi ndër të tjera ajo.

Fakti që e pengon më shumë znj. Shala është edhe mungesa e institucioneve apo qendrave të ndryshme që merren me trajtimin e të rinjëve që përdorin substanca narkotike, duke lënë kështu që e vetmja mbështetje për këta persona të jetë familja, shoqëria dhe rrethi i gjerë.

Në anën tjetër, Ndriçim Çekaj, kryetar i Qendrës Rinore në komunën e Deçanit thotë se ka rritje të numrit të përdoruesve të të gjitha llojeve të drogave, por që në fillim të rinjtë konsumojnë substancat që kanë ndikim më të vogël siç janë alkooli ose duhani.  Për më tepër ai tregon se ka pasur edhe një bisedë personale me një ish përdorues të substancave narkotike dhe i cili e ka informuar detajisht mbi efektet negative që shkakton përdorimi i tyre duke ofruar edhe të dhëna mbi përdorimin e tyre nga të rinjtë. “E kur flasim për duhanin ose alkoolin besoj se është një numër shumë i madh i përdoruesve, sidomos i duhanit, e besa edhe i alkoolit , por prapseprapë për mua duhani zë vendin e parë në këtë rradhitje “ – u shpreh Çekaj.

Në lidhje me përdorimin e drogës nga të rinjtë, një mendim dha edhe B.K., mjek i spitalit rajonal të Deçanit. Ai tha se nga informatat që na servohen në media dhe nga përvoja personale vërejmë se të rinjtë e moshës 14, 16 dhe 18 vjeç i përdorin shumë substancat narkotike. Ajo që mungon, është një qendër rehabilituese në Kosovë, ku do të mund të bëhej trajtimi i personave që i përdorin këto substanca.

Kur flasim për trajtimet, rëndësi të veçantë kanë edhe metodat parandaluese të këtij fenomeni, të cilat mund të kenë ndikim të madh në zvogëlimin dhe parandalimin e përdorimit të drogës, sidomos nga të rinjtë. Është më se e nevojshme të organizohen programe të ndryshme nga ana e policisë së Kosovës ose organet e tjera përgjegjëse për t’i informuar të rinjtë mbi rreziqet dhe efektet negative që kanë substancat narkotike. Një ndikim mjaft të madh ka edhe prania e psikologëve në shkolla, gjë që në shumicën e komunave dhe në shkollat përkatëse mungon. Mirëpo ajo që luan rol të madh, janë edhe këshillat e familjes dhe rrethi shoqëror me të cilët të rinjtë kalojnë kohën më shumë.

Me zbutjen e këtij fenomeni shumë probleme shoqërore do të evidentoheshin, e me këtë edhe të rinjtë do të kuptonin se përdorimi i substancave narkotike nuk sjell asgjë të dobishme, veçse efekte të dëmshme që mund të ndikojnë në prishjen e stabilitetit të jetës.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (17 votes, average: 4,59 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?