Korrupsioni në edukim

18 March, 2017

Sistemi i edukimit në Kosovë, në ditët e sotme po përballet me shumë sfida dhe probleme të ndryshme e njëkohësisht edhe të dëmshme. Njëri nga këto probleme është edhe korrupsioni. Korrupsioni është një ndër problemet kryesore me të cilin përballen shumë vende, e veçanërisht janë të prekura vendet në zhvillim.  Për këtë arsye, të gjitha vendet duhet të forcojnë dhe përmirësojnë politikat, strategjitë, institucionet, kuadrin ligjor dhe përpjekjet konkrete të qëndrueshme për ta parandaluar dhe për ta luftuar atë. Korrupsioni në edukim nënkupton trajtim jo të barabartë të nxënësve apo studentëve nga ana e mësimdhënësve, reagim ky që përforcohet me përfitime personale. Ky fenomen ka ndikim shumë të madh në procesin e edukimit në të gjitha shtetet që synojnë avancimin maksimal edukativo-arsimor të të rinjëve, si pjesa më frytdhënëse e një vendi.

Parandalimi i korrupsionit nënkupton përdorimin e masave të ndryshme për largimin e tij nga një fushë e caktuar, siç mund të jetë fusha e edukimit. Për të parandaluar një fenomen të tillë, rol të veçantë kanë edhe shkollat, të cilat përmes programeve edukative, mund t’i këshillojnë të rinjtë apo mësimdhënësit në përgjithësi që të mos bijnë pre e mënyrave të ndryshme korruptive që mund të ndërmirren nga të dyja palët. Kjo mënyrë ndryshe mund të quhet edhe edukim antikorrupsion dhe mund të jetë edukim formal ose joformal. Në kuadër të edukimit antikorrupsion mund të përfshihen njohuri të ndryshme rreth dukurisë së korrupsionit, duke përfshirë të kuptuarin e ndikimit të madh negativ që kjo dukuri e ka, promovimin e jotolerancës ndaj korrupsionit, si dhe demonstrimin e formave dhe lëvizjeve që mund të luftojnë atë.
Duke bërë hetime të mëtutjeshme rreth korrupsionit, i cili mund të jetë prezent në çdo shkollë,  ky faktor mund të zhduket me ndihmën dhe ndikimin e nxënësve, mësimdhënësve apo edhe organeve të tjera përgjegjëse. Korrupsioni mund të parandalohet edhe me përfshirjen e masave të ndryshme parandaluese në kuadër të rregullores së shkollës. Në fakt ky mund të jetë hap kyç dhe shumë i domosdosshëm i parandalimit të një dukurie kaq të papëlqyer.

Kur jemi tek llojet e korrupsionit që mund të jenë prezente në sektorin e edukimit, mund të themi se ekzistojnë disa lloje që janë më të përhapura jo vetëm në sistemin e edukimit. Korrupsioni mund të paraqitet nga dhuratat që mund ti jap një nxënës mësimdhënësit të tij në mënyrë që ai/ajo t’a trajtojë nxënësin/nxënësen në fjalë më mirë se të tjerët. Duke bërë dallime të tilla në mes të nxënësve apo duke i notuar nxënësit/nxënëset pa meritë, mësimdhënësit mund të ndikojnë që në të ardhmen kjo mënyrë e edukimit të jetë shkak i vdekjes së një pacienti (nëse nxënësi/ja studion mjeksinë) apo edhe shkak i gjykimit jo të drejtë të një të akuzuari (nëse ai/ajo studion juridikun). Një formë tjetër e korrupsionit në edukim është edhe marrja e rryshfetit, ndikimi i të cilit vërehet jo vetëm në sektorin e edukimit por edhe në fusha të tjera të cilat janë mjaft rëndësishme. Korrupsioni në edukim numëron edhe forma të tjera ose mënyra të tjera korruptive por që tek ne nuk kanë përhapje më të gjerë, të paktën nuk i hasim shpesh në sistemin e edukimit që ne kemi.

Si mund të luftohet korrupsioni në edukim?

Për t’u përgjigjur në këtë pyetje, ekzistojnë forma apo mënyra të ndryshme të cilat mund të jenë kualitative dhe që mund ta luftojnë korrupsionin në edukim ndoshta edhe deri në pikë të fundit. Mirëpo zvogëlimi i nivelit të kësaj dukurie në edukim është proces i vështirë dhe i ngadalshëm ngase ndërlidhet me shumë faktorë. Ka disa faktorë të cilët ndihmojnë në luftimin e korrupsionit, ndër të cilët janë hetimi dhe dënimi i personave të përfshirë. Kjo kërkon përkushtim shumë të madh nga ana e mësimdhënësve dhe nxënësve dhe bazohet në rregullin dhe shprehinë e gjobitjes apo përjashtimit të një personi në kuadër të shkollës (mësimdhënës apo staf teknik) nëse vërejmë se ai person është i/e korruptuar. Mirëpo, ndër të gjitha këto, mendoj se nuk ka mjet më të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin në edukim sesa vetëdijësimi i popullatës, në këtë rast i mësimdhënësve/eve rreth dëmeve që sjell korrupsioni, e sidomos kur bëhet fjalë për edukimin, duke e ditur se roli i këtij sektori është tejet i madh. Vetëdijësimi mund të arrihet edhe me organizime të ndryshme që kanë këtë qëllim, dhe të cilat mund të realizohen nga organet kryesore të një shteti, qendrat rinore lokale, apo edhe të rinjë dhe të rejat vullnetare.

Shume akterë ndikojnë në prezencën e korrupsionit në sektorin e edukimit. Mosfunksionimi i duhur i sistemit të edukimit mund të ketë ndikim të madh në rritjen e kësaj dukurie, sepse përderisa vetë udhëheqësit e Ministrisë së Arsimit nuk ndërmarrin hapa konkret për parandalimin e korrupsionit në edukim, atëherë ky fenomen çdo ditë e më shumë pëson ngritje. Në anën tjetër edhe mos transparenca në rregullat ligjore mund të kenë ndikim të madh, për faktin se shumica e rregulloreve në Kosovë nuk respektohen. Ndër të tjera, faktorë ndikues janë edhe të ardhurat e ulëta, të cilat jo vetëm që bëjnë që të përhapet korrupsioni, por në të njëjtin rast ndikojnë edhe në rritjen e varfërisë.

Një fenomen i tillë, marrë parasysh sa është i dëmshëm për shoqërinë, duhet të zhduket, dhe me ngrijten e vetëdijes tonë mund të kontribojmë drejt këtij qëllimi. Kjo është e vetmja mënyrë të rregullohet kualiteti i jetës dhe imazhi i vendit tonë.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (7 votes, average: 4,71 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?