Të gjithë kemi mundësi të shpëtojmë jetë. Një mënyrë shumë e lehtë, e sigurtë dhe e shpejtë për ta bërë këtë është duke dhuruar gjak. Vetëm një donacion gjaku ka potencial për të shpëtuar tri jetë.
Dhurimi i gjakut është një nga aktivitetet vullnetare më të dobishme për komunitetin. Gjaku i dhuruar i ofrohet njerëzve që kanë nevojë për transfuzion të tij. Çdo vit, miliona njerëzve ju nevoitet gjak për shkak të lëndimeve serioze, aksidenteve, sëmundjeve të ndryshme apo humbjes së tij gjatë operacioneve.
Të drejtë për të dhuruar gjak kanë të gjithë individët e grupmoshës 18-60 vjeçare që gëzojnë shëndet të mirë dhe peshojnë mbi 50 kg. Të përjashtuar nga ky privilegj janë përdoruesit e alkoolit dhe drogës, personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, infektive, tumorale etj. Gratë mund të dhurojnë gjak 2 herë në vit ndërsa burrat deri në 4 herë në vit. Procesi mund të persëritet çdo 90 ditë ndërsa gjaku i dhuruar kompensohet brenda 1-7 ditësh.
Gjatë dhurimit të gjakut është e rëndësishme të dihet grupi i tij. Prej të gjitha grupeve të gjakut ( A+, A-, B+, B-, O+, O-, AB+ dhe AB -), grupi O- është dhurues universal ndërsa grupi AB+ është marrës universal.
Dhurimi i gjakut është një proces i lehtë i cili zgjatë rreth 5-8 minuta. Ky aktivitet është plotësisht i sigurtë dhe nuk ka efekte anësore. Pos kësaj, dhuruesit e gjakut ndihen më mirë fizikisht dhe kanë më pak gjasa që të preken nga kanceri dhe dëmtimet e mëlçisë. Dhurimi i gjakut, poashtu ndikon pozitivisht në shëndetin kardiovaskular dhe në rregullim të peshës. Dhuruesit e gjakut raportojnë se ata ndihen fizikisht dhe emocionalisht mirë kur dhurojnë gjak.
“Kur kam dhuruar gjak jam ndier më e lehtësuar. Është ndjenjë e papërshkrueshme të dish që gjaku yt do të ndihmojë apo edhe të shpëtojë jetën e të tjerëve. Thjeshtë ndihem e lumtur dhe e privilegjuar që kam pasur mundësi që të dhurojë diçka nga vetja për të tjerët.” – thotë S.S, deçanasja e cila ka dhuruar gjak më se 50 herë. Ajo i inkurajon të gjithë qytetarët e tjerë që të dhurojnë gjak sa herë që kanë mundësi.
92 milion dhurime gjaku bëhen çdo ditë në botë, por 30 milionë dhurues nuk e përsërisin më këtë aktivitet. Si në botë, ashtu edhe në vendin tonë, çdo ditë rritet numri i personave të cilët kanë nevojë për gjak për të vazhduar jetën dhe vlerësohet se numri i donacioneve të gjakut nuk është i mjaftueshëm për ti përmbushur kërkesat për transfuzion të tij e si pasojë e mungesës së donacioneve, shuhen me miliona jetë.
Çdo ditë dikush ka nevojë për gjak, e duke u bërë dhurues të gjakut, mund të parandalohen rastet kur njerëzit vdesin për shkak të mungesës së tij.