Problemet që ka Kosova me korrupsionin

23 March, 2017

Korrupsioni është një nga termat më të lakuar në vendin tonë qoftë në mediat televizive, bisedat e rëndomëta të qytetarëve dhe në fushatat e ndryshme që po ndërrmirren për luftimin e tij. Sot, me këtë term secili nga ne i definojmë rastet e  jashtëligjshme,  që dëmtojnë mbarëvajtjen e proceseve të cilat janë të lidhura drejtëpërdrejtë me jetën dhe të ardhmen tonë, raste këto në të cilat individë të caktuar për interesa personale kryejnë veprime që janë në kundërshtim me etikën dhe ligjin.

Në raportin e paraqitur në vitin 1994, Këshilli i Evropës ka caktuar definicion për korrupsionin, në kuadër të punës: “Keqpërdorimi i pozitës publike, shoqërore ose ekonomike, gjegjësisht shfrytëzimi i ndikimit real apo të supozuar në bazë të kësaj pozite, me qëllim që, në mënyrë të kundërligjshme, për vete ose për dikë tjetër, të sigurohet ndonjë material apo ndonjë përparësi politike ose ekonomike.”

Meqë korrupsioni përbën një nga problemet më të mëdha të shteteve, lufta kundër tij është shëndrruar në një mision të rëndësishëm për të gjithë ata që dëshirojnë një vend të sigurtë e në të cilin respektohen dispozitat ligjore. Në mbarë botën ekzistojnë shoqata të shumta, qëllimi i të cilave është vetëdijësimi i qytetarëve për korrupsionin e formave të ndryshme, parandalimin dhe luftimin e tij. Edhe në Kosovë, korrupsioni si temë trajtohet mjaft shpesh, dhe fatmirësisht organizata të caktuara veprimtarinë e tyre e zhvillojnë me objektivin e identifikimit të rasteve të korrupsionit, format e ndryshme të keqpërdorimit ekonomik dhe të pozitave,  dhe zhvillimin e politikave kundër kësaj dukurie.

Ndikimi që ka korrupsioni në jetën e njerëzve është shumë i madh, duke qenë se ai është i lidhur drejtëpërdrejtë me progresin e vendit ku ata jetojnë dhe mirëqenien e tyre. Kosova si një vend me shkallë shumë të lartë të papunësisë dhe të korrupsionit është në një gjendje jo të mirë përsa i përket zhvillimit ekonomik dhe ofrimit të një jete të denjë për qytetarët e saj, të cilët këto dukuri të jashtëligjëshme i shohin si shkaktarët kryesor të ngecjes së zhvillimit dhe avancimit të shtetit tonë. Gjendja në të cilën jemi tani, ka bërë që njerëzit të reflektojnë se kjo shkallë e lartë e korrupsionit është shkaktari kryesor i problemeve që ka Kosova në fusha të ndryshme e sidomos në atë të ekonomisë dhe integrimit Evropian.

Sipas të dhënave vjetore nga Transparency International, shteti ynë po vazhdon të mbetet në një nga vendet më të korruptuara në rajon, duke shënuar kështu një progres jo të kënaqshëm nga viti në vit. Kjo përbën një shqetësim të madh dhe njëkohësisht është indikator se korrupsioni nuk po luftohet sa duhet, e mbi të gjitha nuk po luftohet në mënyrën e duhur, pavarësisht thirrjeve dhe presionit të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët dhe shumave të larta të parave që po shpenzohen për këtë qëllim. Transparency International është organizatë globale e shoqërisë civile, e cila udhëheq luftën kundër korrupsionit. Indeksi i perceptimit të korrupsionit radhit vendet në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik. Për vitin 2015 shteti ynë është rradhitur  në vendin e 103-të  duke krahasuar me raportin e para një viti, kur është radhitur në pozitën me numër 110, përderisa vendet e tjera të rajonit rezultojnë të jenë në gjendje më të mirë.

Fenomeni i korrupsionit është i shprehur në shumë sektore, sidomos në atë të shëndetësisë, arsimit, sektorin e ekonomisë dhe sistemin e drejtësisë. Dëmet të cilat po shkakton korrupsioni i formave të ndryshme, dhe numri i atyre që po pësojnë është shumë i madh,  duke qenë se masat parandaluese janë shumë të vogla. Shkalla e lartë e korrupsionit në shëndetësi ka afektuar dukshëm shëndetin dhe mirëqenien e popullit të Kosovës. Rastet kur qytetarët detyrohen t’i paguajnë mjekut shuma të majme të parave për shërbime shëndetësore, kur ata bien pre e mashtrimeve në të cilat rrezikojnë edhe jetën e tyre, janë të shumta. Përveç sistemit shëndetësor korrupsioni është mjaft i shprehur edhe në sistemin arsimor, qoftë në atë të arsimit të ulët apo të lartë.

Shpesh herë, persona joadekuat angazhohen në pozita të ndryshme të punës, përderisa individëve të kualifikuar u mohohet e drejta për një pozitë të tillë, çka ka ndikuar dukshëm në uljen e cilësisë së nivelit të arsimit në vendin tonë. Në anën tjetër, lëndët e qindra e mijëra rasteve që kanë të bëjnë me korrupsionin vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura në gjykata, e disa të tjera qëllimisht janë lënë t’i mbulojë pluhuri i sirtarëve, çka nënkupton se problemet e tilla nuk përbëjnë prioritet për sistemin e drejtësisë në Kosovë, pavarësisht se të shumtë janë zërat se e vërteta e këtyre çështjeve do të dalë në pah në një të ardhme të afërt dhe personat e implikuar në to do të marrin dënimin e merituar.                              

Ne ende nuk jemi të vetëdijshëm për ndikimin që kemi në krijimin e një shoqërie të shëndoshë dhe funksionale. Bess Myerson në një thënie të tij citon: “ Bashkëpunëtor i krimit të korrupsionit është shpesh herë indiferenca jonë”, që tregon edhe një herë për rëndësinë tonë në raportimin, parandalimin dhe luftimin e këtyre fenomeneve.
Jemi pikërisht ne ata që duhet të reagojmë dhe të  shprehim pakënaqësinë për rastet e pazgjidhura të korrupsionit dhe personat e përfshirë në ato raste, të kërkojmë llogari për gjendjen në të cilën jemi tani nga udhëheqësit dhe individët kompetentë të cilët drejtojnë Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, meqenëse kjo shkallë e lartë e korrupsionit po kanos çdo herë e më shumë të ardhmen tonë si qytetarë dhe atë të Kosovës si shtet.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (1 votes, average: 5,00 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?