Të zhdukurit e luftës në Kosovë(1998-1999)

23 March, 2017

Qeshtja e personave të zhdukur vazhdon të mbajë peng shoqërinë Kosovare që nga viti 1998. Si e tillë ajo do të duhej të trajtohet me prioritet nga faktori ndërkombëtar dhe vendor.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mbi 6050 persona janë raportuar të zhdukur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë në ankth dhe përballen me probleme të shumta të natyrës psikosociale dhe ekonomiko-juridike, pasi të afërmit e tyre u vranë dhe më pas trupat e tyre u dërguan në Serbi me qëllim që të fshihen krimet dhe të shtohet dhembja shpirtërore e familjeve dhe shoqërise Kosovare në përgjithësi.

Shumë varreza massive u gjetën në Serbi, në Batajnice, Petrovo Sello, Bajna Bashte dhe Rashke, dhe me siguri edhe shumë të tjera do të gjindeshin nëse shteti Serb do të kushtëzohej nga faktori ndërkombëtar për të hapur dosjet e ushtrisë dhe policisë mbi krimet e bëra ndaj popullatës civile shqipëtare në Kosovë. Mirëpo edhe pse një numër i madh i të zhdukurve u identifikuan në varreza të ndryshme, ende mbesin të pagjetur mbi 1660 qytetar të Kosovës.

Nysrete Kumanova, drejtuesja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, thotë se shumë prindër kanë ndërruar jetë në pritje të zbardhjes së fatit të fëmijëve të tyre, të rrëmbyer nga forcat serbe dhe të zhdukur nga po të njëjtit. Kjo shoqatë ka udhëhequr familjet e personave të zhdukur në kërkim të të ‘Drejtës për të Ditur’, e drejtë kjo e garantuar me Konventën e Gjenëves.

Autoritetet në Kosovë edhe pse janë angazhuar mjaft në këtë drejtim, ende nuk kanë arritur të kenë përkrahjen e plotë nga bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që të ndriqohet fati apo vendodhja e qytetarëve të Kosovës të marrë peng nga forcat ushtarako-policore Serbe.

Kjo plagë e shoqërisë kosovare vazhdon të jetë një prej qështjeve më të ndjeshme, e cila është e ndërlidhur ngushtë me zhvillimin normal të shoqërisë. Shpresojmë se me angazhimin e faktorit ndërkombëtar dhe vendor kjo qështje do të përmbyllet dhe vuajtja e familjeve do të marrë fund përgjithmonë.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 3,50 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?