Studentët, lokomotiva e ndryshimeve

28 March, 2017

Nga Dorentina A. Kastrati

-Kush iu priu protestave të vitit 1981? … Studentët… -Kush ishin në radhë të parë në protestat e vitit 1997? … Studentët. -Po ç’po bëjnë studentët kosovarë sot për t’i kërkuar të drejtat e tyre? …Asgjë.

Në Kosovë, ndër vite studentët kanë qenë lokomotiva e ndryshimeve kurse tani shumë prej tyre janë shndërruar në instrumente të partive politike. Nuk luftojnë për të drejtat e tyre, për përmirësimin e kushteve elementare nëpër fakultete, nuk i kërkojnë laboratorët që nuk i kanë, nuk e kërkojnë literaturën e cila u mungon në masë të madhe, nuk protestojnë kundër profesorëve që janë avansuar pa meritë, por protestojnë për interesat e njerëzve të politikës sa herë që ua kërkojnë ata.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës numri i banorëve residentë në Kosovë në vitin 2015 ishte 1,771,604. Kurse numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar në vitin akademik 2015/2016, sipas ASK-së ishte 120,429 studentë, prej tyre në universitetet publike 73,111 studentë, ose shprehur në përqindje ishin 60.7%, ndërsa në kolegjet private ishte 47.318 studentë, ose 39.3%. Nga numri i përgjithshëm i banorëve resident në Kosovë, 6.7% prej tyre janë studentë, që i bie, një nga 15 banorët e Kosovës është student. Po t’i bashkonin forcat të gjithë këta studentë do të bëheshin një faktorë i rëndësishëm në përmirësimin e arsimit universitar. Do të mirreshin seriozisht mendimet dhe qëndrimet e tyre, e politika nuk do të guxonte të zgjaste dorën brenda universiteteve për t’i përdorur studentët si vegla për t’i arritur objektivat e tyre politike.

Studentët gjithmonë kanë ditur të bëjnë ndryshime rrënjësore. Me 11 dhe 26 mars të vitin 1981, studentët kosovarë ishin ata që u bënë simbol i rezistencës kundër sistemit represiv antishqiptar në ish-Jugosllavi. Për organizimin e protestave në mars të vitit 1981 gjykata jugosllave dënoi një grup prej 21 studentësh me 223 vjet burg, secilin prej tyre me nga 6 deri në 15 vjet burg. Studentët guxuan t’i bëjnë rezistencë dhunës së pushtetit të ish-Jugosllavisë, e për kauzën “Kosova Republikë” ata këmbyen vitet më të mira të jetës së tyre me burgun e tmerrshëm. Gandi ka thënë “Jini ndryshimi që doni të shihni”, e ithtarë të kësaj motoje ishin edhe studentët në protestat e vitit ’81. Shembullin e këtyre studentëve guximtarë nuk po e ndjekin studentët e “lirisë”, ata nuk po luftojnë dhe nuk po i kërkojnë të drejtat e tyre edhe sot kur Kosova është republikë dhe po qeveriset nga njerëzit tanë.

Në radhë të parë të protestave të vitit 1997 në Kosovë ishin studentët që u ngritën kundër regjimit të atëhershëm jugosllav i cili i dëboi shqiptarët nga institucionet arsimore. Ata guxuan kundër një pushtuesi të huaj, kundër një pushtuesi agresiv, kundër një pushtuesi të dhunshëm, kurse studentët e “lirisë”… janë … frikacakë, nuk veprojnë, nuk ngriten për të kërkuar ato që i’u mungojnë por presin lëmoshën që të tjerët ua lëshojnë në dorë.

Webometrics në fund të vitit 2016 ka publikuar rankimin e universiteteve më të mira në botë ku më së miri ndër universitetet e Kosovës radhitet Universiteti i Prishtinës, në vendin e 3789-të. Kjo radhitje nuk duhet t’i gëzojë studentët, përkundrazi duhet t’i bëj të reflektojnë, të shikojnë pak pas në histori, të frymëzohen nga storiet e studentëve të guximshëm të vitit 1981 dhe vitit 1997, të bëhen nismëtarë të ndryshimeve, të ngrisin zërin për kërkesat e tyre. Studentët kanë mundësinë për të kontribuar në ndërtimin e vendit, Michael Granof, kryetar i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit ka thënë se “vështirësitë krijojnë më shumë mundësi sesa suksesi”, kështu që studentët duhet të bëhen lokomotivë e ndryshimeve në këtë vend të vogël që po e shkruan një kapitull të ri në historinë e saj mjaft të vështirë.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (4 votes, average: 4,00 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?