Ngacmimet në shkolla, problem edhe nëpër shkollat e Kosovës

08 December, 2017

Ngacmimet nëpër shkolla mes bashkëmoshatarëve janë një problem shumë i madh dhe aktual në vendin tonë, madje përhapja e internetit ka bërë që numri i këtyre ngacmimeve të rritet dhe të kryhet edhe më lehtë.

Shumë adoleshentë, përshkak të ngacmimeve, kërcimeve, dhunës psikologjike, fizike apo edhe asaj seksuale, të ushtruar nga bashkëmoshatarët, kanë marrë vendime të gabuara, nga braktisja e shkollës, e deri tek lëndimi i vetes.

Se ngacmimet lënë gjurmë të pashlyera në jetën e njerëzve, tregon edhe DH.S, një vajzë tashmë 18 vjeçare, e cila e konsideron këtë periudhë, si më të vështirën të jetës së saj.

DH.S e përshkruan veten si një person të qetë dhe si një vajzë të urtë, që nuk e ngacmonte askënd dhe nuk shkaktontea asnjëherë probleme.

Ajo tregoi se shoqëria e saj e akuzonte se bënte veprime “jovajzërore”, prandaj shoqet e saj gjithmonë e kishin ofenduar dhe kishin ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj, veprime këto që e kishin shtyrë atë ta mendonte edhe vetëvrasjen si opsion, pasi ndihej e detyruar ta ndryshonte veten, vetëm për të tjerët.

Për ta tejkaluar këtë gjendje, DH.S kishte marrë ndihmë nga psikologu dhe mbështetje të madhe nga prindërit e saj, teksa, sot, ajo ndihet e lumtur me shoqërinë e saj të re.

“Prindërit më kanë ndihmuar shumë në këtë fazë të jetës, andaj unë jam shumë mirënjohëse ndaj tyre, sepse vetëm falë  tyre dhe psikologes, unë kam arritur të mposhtë depresionin“, tha ajo, teksa shtoi se, raste të tilla ndodhin vazhdimisht në shumë shkolla, por edhe përkundër kësaj, institucionet shkollore nuk japin informacione rreth mënyrës dhe pasojave që mund të sjellin ngacmimet, dhuna psikologjike, fizike dhe ajo seksuale.
Lumnije Rakaj, drejtoreshë e një shkolle fillore në Prizren, tha se është në dijeni për ngacmimet që ndodhin në shkollën e saj, por shtoi se ato janë raste të rralla, por që, sipas saj, mund të eskalojnë nëse nuk marrim masa në kohë.

“Nëse nuk marrim masa në kohë, sigurisht që mund të vije deri tek më e keqja, por për ta parandaluar këtë, janë njoftuar menjëherë prindërit e nxënësve, kujdestarët e klasave dhe psikologu, dhe me ndihmën e të gjithëve, ngacmimet nuk janë përsëritur më”, tregoi Rakaj.

Tutje, ajo shpjegoi se stafi i shkollës që ajo e udhëheqë, ka ofruar mekanizma për t’i ndaluar ngacmimet nëpër shkolla nëpërmjet broshurave për vetëdijesimin e nxënësve, pastaj përmes trajnimeve të ndryshme nga psikologë dhe njohës të fushave sociale etj.

Duke i treguar shkaqet dhe motivet që i shtyjnë të rinjtë të ngacmojnë të tjerët, psikologia Blerina Vehbiu tha se në thelb të sjelljeve ngacmuese, qëndron nevoja për fuqi dhe dëshira për të trembur dhe dominuar mbi të tjerët, sjellje kjo që, sipas saj, në të shumtën e rasteve, vjen si pasojë e ndjenjës së pafuqisë në jetën e tyre.

“Ndjenja e xhelozisë, frustrimit, vështirësia për t’i kuptuar ndjenjat e të tjerëve, si dhe pamundësia për të rregulluar emocionet, konsiderohen po ashtu si faktorë që çojnë tek ngacmimet”, tregoi ajo.

Vehbiu i përshkroi këta fëmijë si persona që zakonisht në familje i dëgjojnë prindërit apo të rriturit, duke diskutuar se si kanë mashtruar apo manipuluar të tjerët në punë, me qëllim të arritjes së qëllimeve të tyre, dhe në mënyrë të tillë e të ngjashme, shohin se përmes ngacmimeve edhe ata mund të shpërblehen, dhe si të tillë, t’i arrijnë edhe vetë fëmijët synimet e tyre.

Ajo potencoi se, në të shumtën e rasteve, ngacmuesit janë vetë të ngacmuar, vetëm se dallon mjedisi  ku ngacmohet dhe ku ngacmon, teksa sqaroi se nxënësit e ngacmuar kanë frikë të raportojnë ngacmimet tek mësuesi, prandaj gjëja e parë që duhet të bëhet, sipas saj, është që nxënësit të vetëdijesohen për ngacmimet në shkolla.

“Shkollat të cilat kanë psikologë, aplikojnë programe të veçanta për të parandaluar ngacmimet mes nxënësve, siç është “Programi Olweus kundër ngacmimeve”, përmes të cilit, bëhet vetëdijesimi i nxënësve për shkaktarët dhe pasojat psiko-emocionale tek nxënësi, identifikohen nxënësit e ngacmuar dhe pastaj kalohet në trajtimin e ngacmuesit dhe të ngacmuarit”, shpjegoi ajo, me ç’rast vlerësoi se, “është shumë e rëndësishme që të bëhet vetëdijesimi mbi pasojat psiko-emocionale dhe edukative tek fëmija i ngacmuar dhe të inkurajohen nxënësit për të raportuar, në mënyrë që kjo dukuri të zvogëlohet dhe të gjejë trajtim sa më të shpejtë”, përfundoi ajo.

Disa statistika të bëra botërisht nga stompoutbullying.org., tregojnë se disa nxënës ngacmojnë bashkëmoshatarët e tyre pasi ata nuk marrin vëmendjen e duhur nga prindërit e tyre dhe dëshirojnë që këtë vëmendje ta fitojnë diku tjetër, konkretisht duke ushtruar dhunë mbi të tjerët.
Gjithashtu, statistikat thonë se shpeshherë, prindërit janë ata që ngacmojnë, prandaj fëmijët marrin “inspirim” nga ata.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (No Ratings Yet)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?