Arti si rrugë për thyerjen e pengesave mes komuniteteve

08 December, 2017

Mirjeta Qehaja, 22-vjeçare nga Gjakova, absolvente në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “ëndërronte” që t’i shihte komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas të përfshirë tërësisht në shoqërinë kosovare.

Edhe ajo i takon këtij komuniteti dhe jep kontribut konkret për realizimin e asaj që e quan “ëndërr” përmes pikturave të saj që pasqyrojnë jetën, ndjenjat, paqartësitë me të cilat ballafaqohen këto komunitete.

Nga mesi i shtatorit të sivjetmë, në ekspozitën e parë individuale në sallën e hotelit “Orion” në Prishtinë, vetë titulli “Barrierat” shpalosi vendosmërinë e Mirjetës për t’i tejkaluar këto pengesa të cilat për pasojë kanë mospërfshirjen e komunitetit të saj në shoqërinë kosovare.

“Kam marrë pjesë nëpër shumë ekspozita dhe më kishte lënë mbresë titulli i njërës nga to ‘Arti i thyen kufijtë’. Sot po e vërtetoj se arti me të vërtetë i thyen kufijtë dhe i kalon të gjitha barrierat”, thotë Mirjeta.

Ajo mendon se e rëndësishme është se çfarë bën e jo kush është ose prej nga vjen një artist.

“Dikur kam qëndruar vetëm me shqiptarët e më vonë edhe me komunitetin pakicë të cilit i takoj, por asnjëherë nuk kam mundur që t’i shoh kështu të bashkuar në një sallë të vetme. Sot u realizua kjo ëndërr. U bashkuan dy anët e monedhës dhe u formua një e vetme”, thotë ajo.

Arbias Llolluni, student i politikave publike dhe menaxhmentit në Universitetin Amerikan të Kosovës (American University of Kosova – AUK), për KosovaLive ka thënë se ekspozita e personifikonte çështjen e përafrimit të komuniteteve të margjinalizuara.

“Mendoj se de jure komunitetet janë të integruar në shoqërinë tonë, por de facto jo. Me fjalë të tjera, kemi stigma të ndryshme për njëri-tjetrin, edhe shumica edhe pakica. Ndoshta një ekspozitë nuk mundet që t’i thyejë të gjitha barrierat shoqërore, kulturore e historike, por mund të jetë ndër hapat e parë të nevojshëm për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Llolluni.

Në ditën e organizimit të ekspozitës, të përkrahur nga “Advancing Together”, “organizata joqeveritare “Romaversitas Kosova” e hapi edhe garën për fotografinë më të mirë dhe debatin “Përfshirja e romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve në shoqërinë kosovare”.

Një hulumtim i prezantuar në këtë debat shpalosi problemet kryesore të këtyre komuniteteve, kushtet jo të mira ekonomike, mosnjohjen e mekanizmave mbrojtës ku ata të mund të adresojnë problemet e tyre… Diskriminimi dhe socializimi shihen në këtë hulumtim si  “problem më i përballueshëm”.

Sipas regjistrimit të popullsisë, në vitin 2011, në Kosovë jetonin 35,784 romë, ashkalinj dhe egjiptas. Pjesa më e madhe e këtyre etniteteve – gjithsej 14,273, jetonin në Gjakovë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj.

Juniku është komuna e vetme në Kosovë ku nuk jetonte asnjë përkatës i këtyre komuniteteve.

Nuk ekziston statistika e saktë sa pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë të punësuar, e një problem i madh është edhe arsimi i fëmijëve të cilët shpesh braktisin shkollën për shkaqe ekonomike.

Me vështirësitë e jetës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas çdo ditë është përballur edhe Avni Mustafa, drejtor i organizatës “Romaversitas Kosova”, me seli në Prishtinë.

Ai jeton në një fshat multietnik, Plemetinë, në komunën e Obiliqit dhe çdo ditë sheh njerëz duke mbledhur kanaqe, duke kërkuar lëmoshë, por jo edhe duke punuar tokën, “sepse nuk e posedojnë…”

Ai thotë se vetëm një pjesëtar nga këto komunitete punon në komunën e Obiliqit.

Ashkalinjtë ndjekin mësimet në gjuhën shqipe dhe me sistemin kosovar të arsimit, por vetëm ciklin e ulët fillor. Nëse i kanë kushtet shkollimin mund ta vazhdojnë në Obiliq.

Në anën tjetër, romët vijojnë mësimin në gjuhën serbe, me planprogram të sistemit arsimor të Serbisë dhe në Plemetinë mund ta përfundojnë edhe shkollën e mesme.

Megjithatë, Avniu pohoi se diskriminimi ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas është më i theksuar, sidomos kur bëhet fjalë për vizita te mjeku, kur ata në njëfarë mënyre janë të detyruar që t’i lënë serbët dhe shqiptarët të hyjnë pa rend.

“Madje edhe me autobus kur udhëtoj ka një ndarje, në një pjesë ulen shqiptarët, serbët e në tjetrën romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit. Kjo ma kujton kohën e racizmit”, thotë Mustafa.

Avni Mustafa, si student i administrim-biznesit në kolegjin “Pjetër Budi”,  përmes organizatës së tij joqeveritare “Romaversitas Kosova”, sot ndihmon financiarisht arsimin e 155 studentëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në universitetet publike në Kosovë.

“Dua që ata të bëhen të papajtueshëm me gjendjen e tyre, ta sfidojnë veten. Të kenë motiv për të studiuar dhe të mos e pranojnë mentalitetin e tillë, se pakica nuk mund të bëjë ndryshimet, por vetëm masa. Dua që t’i dinë të drejtat e tyre”, thotë Mustafa.

Edhe Mustafa vlerëson rolin e artit në ndryshimin e paragjykimeve të shumicës së popullsisë ndaj komuniteteve ku edhe ai bën pjesë.

I frymëzuar nga sfidat nëpër të cilat kalojnë pjesëtarët e këtyre komuniteteve, Avniu realizoi 54 video-storje dhe tre dokumentarë.

Fatlinda Daku, menaxhere e projektit “Thyerja e kufijve përmes artit”, të mbështetur nga UNMIK-u tregon se për ditën e të rinjve, muajin e kaluar është organizuar një ekspozitë ku kanë marrë pjesë 12 të rinj nga të gjitha komunitetet.

Ata bënë piktura me tematikë thyerjen e kufijve dhe pengesave në komunikimin ndëretnik.

Në art, muzikë e filma e kemi gjetur veten. Në diskutimet e ndryshme jemi bindur që nuk jemi aq të ndryshëm nga njëri-tjetri. Përmes një aktiviteti si ky ne nuk mund të themi se ia kemi dalë t’i përfshijmë  komunitetet, por kemi dhënë një shembull se si ne të rinjtë mund të bëjmë diçka në këtë aspekt”, ka thënë Daku.

 

Fjolla Hajrizaj

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (No Ratings Yet)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?