Edukimi si indikator për bashkëpunim mes komuniteteve

08 December, 2017

Komunitetet në përgjithësi, nuk gëzojnë nivele të larta të gjithpërfshirjes në edukim. Pavarësisht kësaj, edhe pse në numër të vogël, disa shkolla promovojnë bashkëpunim duke i integruar këta pjesëtarë në shoqëri.

Në komunën e Vushtrrisë janë dy shkolla fillore “Mustafa Venhari” dhe  “SHMU2”, që  janë modele që promovojnë bashkëpunim mes komuniteteve. Mësimin e vijojnë  nxënës të përkatësive të tjera etnike si; romë, turq dhe ashkali.

Shkolla fillore “SHMU2” që funksionon që nga viti 2009, cdo vit pranon nxënës të përkatësive të tjera etnike, që janë të regjistruara si familje shqiptare. Sipas drejtorit të kësaj shkolle fillore, ndasia etnike nuk iu pengon nxënësve/mësimdhënësve që të kenë raporte të mira mes vete. Madje në shumë raste, ata favorizohen nga mësimdhënësit e tyre.

“Fëmijët ndikohen nga të rriturit, nëse prindërit i paragjykojnë ose i stigmatizojnë këta pjesëtarë të shoqërisë, po këtë model do të ndjekin edhe fëmijët në shkolla”, thotë drejtori i shkollës, Sahit Parduzi.

Më tutje, Parduzi thekson se në aktivitete dhe organizime të ndryshme iu ipet hapësirë e madhe nxënësve të këtij komuniteti, për të nxitur bashkëpunimin dhe për t’i integruar më lehtë në shoqëri. As mësimdhënësit e kesaj shkolle fillore nuk shohin barriera mes pjesëtarëve të shoqërisë, e sidomos në raport me këta nxënës.

“Personalisht, si mësimdhënës aspak nuk më pengon puna me këto komunitete. Në cdo aspekt, ata e mbajnë epitetin  e nxënësit dhe kultivojnë raporte të sinqerta shoqërore. Bashkëpunimi mes komuniteteve arrihet me angazhimin e duhur të akterëve kryesorë – nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, që ndihmon në krijimin e mundësive për komunikim, pavarësisht kulturës dhe dallimeve që ekzistojnë”, thotë Lutfi Shabani, mësimdhënës.

B.K. pjesëtare e komuniteti rom, tregon se kur ka filluar mësimin në këtë shkollë, ajo është ofenduar nga një nxënës shqiptar. Për këtë rast, ajo menjëherë e ka lajmëruar kujdestarin e klasës dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur më. Por, ndihet e shqetësuar për faktin se një mësimdhënës i kësaj shkolle fillore vazhdimisht e pengon.

“Nuk e di arsyen,  por sa herë fillon ora e mësimit më atë mësimdhënës, unë shqetësohna. Ai vazhdimisht mpyt edhe jo vec mu, po edhe vllaun tem që është në klasë tjetër. Ai po na diferencon neve”, thote B.K.

Pavarësisht kësaj, për nxënësit shqiptarë prezenca e  komuniteteve nuk paraqet pengesë. Edukimi, si faktor kyç, ka ndikuar që këta nxënës të ndryshojnë perceptimet për grupet etnike, duke i eliminuar barrierat, paragjykimet dhe diskriminimet.

“Nuk më pengon aspak fakti që ka nxënës që i përkasin komuniteteve tjera. Ne të gjithë jemi të barabartë dhe gëzojmë të drejta të barabarta”, thotë V.V, nxënës në këtë shkollë.

Në shkollën fillore “Mustafa Venhari”, vijojnë mësimin pjesëtarë të komunitetit ashkali. Drejtori i kësaj shkolle, Shyqeri Bunjaku,  tregon se kolektivi i shkolles nuk i veçon as për të mirë, e as për të keq këta nxënës, sepse në një formë ata ndjehen të diferencuar. Në raport me të kaluarën, sjelljet e këtyre nxënësve janë më të mira, arritje për të cilën drejtori i kësaj shkolle, ndjehet tejet i kënaqur.

“Pas luftës në Kosovë, nga ana e prindërve shqiptarë ka pasur një numër të madh ankesash, për anëtarët e këtij komuniteti. Një gjë e tillë ka ndodhur për faktin se pjesa dërrmuese e këtij komuniteti, përdornin shprehje banale gjatë orës së mësimit. Madje, ka pasur raste kur këta prindër, dëshironin t’i tërhiqnin fëmijët e tyre nga ato paralele. Mirëpo, vitet e fundit janë reduktuar rastet e tilla. Nxënësit janë shumë të afërt më njëri-tjetrin dhe nuk e shohin përkatësinë etnike si pengesë për bashkëpunim”, thotë drejtori i shkollës, Shyqeri Bunjaku.

Bunjaku, tregon se para disa vitesh, kur fillonte regjistrimi i nxënësve në klasa të para, secili mësimdhënës ndjehej pak i frikësuar për t’u marrë me këtë komunitet, për shkak se mos do të përballen me probleme. Ndërsa tash, mësimdhënësit me vullnet të plotë shprehin gatishmërinë për të punuar me këta nxënës, që është një tregues i qartë për emancipim shoqëror.

Në bazë të dhënave nga MASHT për vitin 2015/2016, sipas komunave,  numri i fëmijëve shqiptarë të përfshirë në arsimin parashkollor është 99.1% , ndërsa vetëm 0.9% e përbëjnë grupet etnike.  Në arsimin parafillor, nga statistikat figuron se 95.7% janë shqiptarë, ndërsa 4.3% janë grupet e tjera etnike. Në arsimin fillor dhe të mesëm 95.6% janë shqiptarë, ndërsa 4.4% janë grupet etnike. Arsimi parauniversitar përfshin 96.1% shqiptarë, ndërsa 4.4%  grupet e tjera etnike. Numri i mësimdhënësve shqiptarë në komuna është 97.2%,  ndërsa 2.8% janë grupet e tjera etnike.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (No Ratings Yet)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?