Përdorimi i internetit nga fëmijët në Kosovë?

08 December, 2017

Në vendet në tranzicion siç është Kosova, ndryshimet e mëdha, si ekonomike, politike e sociale, e po ashtu edhe demografike kanë bërë që të rritet shumë mbulesa gjeografike me internet, dhe posedimi i telefonave të menqur nga pjesa më e madhe e popullatës. Ky ndryshim ka reflektuar në përmirësimin e përgjithshëm të ekonomisë, jetën e njerëzve dhe proceset politike. Përdorimi i internetit si një shërbim i ri e i domosdoshëm në Kosovë është ngritur në mënyrë dramatike.

Fëmijët tanimë kanë një mënyrë tjetër të argëtimit, ndryshe nga e kaluara. Interneti tashmë nuk është më një risi për fëmijët, por një nevojë e patjetërsueshme për ta. Fëmijët janë të ekspozuar ndaj fushatave promocionale për përdorimin e internetit si kurrë më parë, me materiale të shtypura, fushata reklamuese, internet dhe në television.

Zhvillimi i përgjithshëm emocional dhe fizik i fëmijeve mund të ndikohet nga imazhet e idhujve të tyre që përdoren për spote promocionale në internet ku në të shumtën e rasteve janë imazhe provokuese.

Rreziqet në internet

Sipas nje hulumtimi të realizuar nga Save the Children, ka dalë që ka shumë forma të rreziqeve potenciale që shfaqen nga përdorimi jo i sigurt dhe i tepruar i internetit. Rreziqet kryesore nga përdorimi jo i sigurt i internetit janë këto: sajbërdhuna, keqpërdorimi i të dhënave personale, kontakti me të panjohurit, përmbajtja joadekuate (psh. pornografia, dhuna, etj.), qëndrimi i gjatë në internet dhe varësia nga interneti, virusët dhe spametj.

Fëmijët kanë raportuar të dhëna shqetësuese në lidhje me aktivitetet e tyre online:

  1. 42% e fëmijëve kanë deklaruar që kanë parë përmbajtje pornografike në internet dhe janë shqetësuar nga ato pamje, ndërsa 61% kanë deklaruar qe kanë parë foto ose video me përmbajtje luftarake dhe agresive;
  2. 58% e fëmijëve kanë deklaruar se kanë kontaktuar përmes internetit me persona të panjohur; 69% e të cilëve janë takuar edhe personalisht me persona të panjohur;
  3. Fëmijët kanë deklaruar se në 12 muajt e fundit kompjuteri ju është sulmuar nga ndonjë virus (55%), dikush ju ka keqpërdorur të dhënat personale (15%), ju është vjedhur e-maili (20%), janë ndier të rrezikuar apo të kërcënuar (12%);
  4. Gjithashtu 52% e fëmijëve kanë thënë që shpesh janë të mërzitur, trishtuar, ose të përlotur, ndërsa 40% kanë pohuar që kanë frikë nga gjëra të shumta dhe frikohen lehtë

Të gjithë fëmijët kanë një tërësi të drejtash që duhet të respektohen, edhe në internet. Ata kanë të drejtën për të mos u shqetësuar, ofenduar apo ngacmuar nga përdoruesit e tjerë. Ata kanë të drejtë të komunikojë dhe gjithashtu të kenë argëtim. Në anën tjetër, ata kanë të drejtë të marrin informacione dhe të kenë përmbajtje të përshtatshme për moshën e tyre, dhe ne mund të themi se zhvillimet teknologjike kanë gjeneruar mundësi të reja që përfshijnë të drejtën për të prodhuar informacion, për të shprehur veten e tyre dhe për të krijaur ide. Tani ata janë protagonistë të internetit, dhe jo vetëm konsumatorë pasiv, siç ndodh në shumë raste.

Fëmijët kanë një përgjegjësi për mënyrën se si ata përdorin internetin. Keqpërdorimi, neglizhimi apo pakujdesia, në të cilën ata nuk marrin parasysh standardet themelore të sigurisë, mund të shkaktojë pasoja në jetën e tyre të cilat ata mund t’i shmangin.

Të gjithë fëmijët janë përgjegjës për të respektuar dhe zbatuar të drejtat e të tjerëve. Nuk duhet të përdorin kërcënime, ngacmime apo fyerje ndaj përdoruesve të tjerë. Fëmijët përdorues të internetit nuk duhet tënxisin përmbajtje e cila degradon, poshtëron apo denigron të tjerët.

Si përfundim, do të rekomandoja që politik bërësit të hartojnë strategji dhe mekanizma që do të ndikonin në ndërgjegjësimin e prindërve, ku këta të fundit do të edukonin fëmijët e tyre rreth mënyrës së përdorimit të internetit, njoftonin me të mirat dhe rreziqet e përdorimit të internetit, në mënyrë që të mos bien pre e fushatave dhe provokimeve të ndryshme.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (No Ratings Yet)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?