(Kushtetuta e Kosovës)
Qyteti i Ferizajt sipas regjistrimeve të fundit të popullsisë rradhitet si vendi i dytë në Republikën e Kosovës me numrin e banorëve të minoriteteve. Ferizaji këtë vend e mbanë me 3,833 banorë të minoriteteve Rom dhe Ashkali. Kjo shifër në përqindje përkthehet me 3.5% e numrit të përgjithshëm të banorëve të kësaj komune.
Në komunën e Ferizajit komunitetet rom dhe ashkali kanë dy zona kryesore ku janë të vendosur: njëra në fshatin Dubravë kurse tjetra afër qytetit, lagjja Ejup Statovci ose siç njihet ndryshe nga banorët e zonës si “Sallahane”. Mjafton të kalosh në këto dy lokacione dhe vërehet se jeta që e bëjnë këta qytetarë nuk i plotëson standardet e një jetese normale.
Qeveria e Kosovës ka hartuar një strategji për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare, ku si pika kyçe për përmirësime kanë pasur arsimin, punësimin dhe mirëqenien sociale, shëndetësinë dhe banimin. Aty është paraparë që përmes përmirësimit të legjislacionit dhe krijimit të politikave më të favorshme për komunitetet, ta përmirësojnë gjendjen dhe pozitën e komuniteteve në shoqëri.
Pjesëtarë të zyrës për komunitete në Ferizaj pajtohen se kjo strategji prekë pikat kryesore për të cilat kanë nevojë komunitetet. Ata ndër të tjera thanë se legjislacioni i Republikës së Kosovës është shumë i favorshëm për komunitetet, mirëpo shpesh herë ato ligje nuk zbatohen në praktikë dhe mbesin vetëm në letër, sidomos në aspektin e punësimit.
Ligji 03/L-149 për shërbimin civil të Republikës së Kosovës, me anë te regullores Nr. 04/2010, neni 6, pika 2 thotë “Në kuadër të shërbimit civil në institucionet e nivelit lokal, numri i posteve të rezervuara për kanëdidatët e kualifikuar nga komunitetet joshumicë duhet të jetë në përputhje me perfaqësimin e përqindjes së komuniteteve në komunën përkatëse.” Shefja e personelit në Komunën e Ferizajit znj. Fikrete Veliu tha se ky ligj implementohet në institucionin e komunës së Ferizajt, gjegjësisht në administratën komunale. Në pyetjen tonë për numrin e të punësuarve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në administratën komunale. Znj Veliu tha se janë të punësuar gjashtë (6) ashkali dhe një (1) rom, që i bie 2.4% e të punësuarve në administratën komunale janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Kjo do të thotë se ky ligj nuk zbatohet për 1.1%, sipas ligjit do të duhej që të ishin të punësuar së paku 3.5%.
Çështje tjetër që shtron si problem zyra për komunitete në Ferizaj, është edhe kequshqyerja. Kjo sipas tyre vjen si pasojë e papunësisë në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Kjo situatë shpesh herë dërgon edhe në ndërprerjen e shkollimit të fëmijëve, për arsye se prindërit e kanë të pamundur të punojnë për shkaqe të ndryshme shëndetësore dhe detyrojnë fëmijet ta ndërpresin shkollimin që të kryejnë punë fizike, zakonisht me karrocë në treg e fitimet mund të jenë dy (2) deri në tre (3) euro vetëm e vetëm që të sjellin ushqim në shtëpi. Është mëse e kuptueshme që nuk mund të ushqehen mirë me këto të hyra.
Këtë problem e trajton edhe strategjia për përfshirjen e komuniteteve në shoqëri ku thotë se komunitetet rom dhe ashkali nuk e konsumojnë një dietë të balancuar apo plotësojnë marrjen e një bilanci të ushqimit ditor që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Racionet tipike kanë tendencë të përfshijnë një kombinim të fasuleve, patateve dhe sallameve të kualitetit të dobët, ushqimeve të përgatitura që janë të pasura me yndyrë dhe përbërje të kripës. Të dhënat tregojnë se më pak se një e katërta e individëve (18.7%) konsumojnë mish apo prodhime mishi në baza ditore dhe vetëm rreth gjysma në një racion ditor i përfshijnë perimet (60.7%), frutat (49.8%) dhe qumështin (50.0%). Pa ushqim të duhur, individët nuk i marrin vitaminat dhe mineralet e nevojshme, dhe janë në rrezik nga anemia, obeziteti, dhe sëmundjet kronike si hipertensioni dhe diabeti. (Strategjia për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë Kosovare 2017-2021, Prishtinë, prill 2017, f.25)
Kur jemi te sëmundjet që i shkakton kequshqyerja, mjekimi është një tjetër sfidë që përballen komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Sipas zyrës për komunitete, shpesh herë komunitetet e kanë të vështirë qasjen në shërbimet shëndetësore, për arsye financiare. Pasi që duhet paguar një shumë e caktuar për kontroll, duhet të blihen medikamentet të cilat nuk i kanë barnatoret e spitaleve publike. Kjo e bën tejet të vështirë situatën e komuniteteve karshi shëndetit.
Sfidë tjetër e komuniteteve është arsimimi. Sipas raportit të hulumtimit “Gjendja e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë” thuhet se “në mesin e respodentëve pjesëmarrës në këtë hulumtim ka pasur të përfshirë respondentë me shkallë të ndryshme të arsimimit, por më së shumti ka pasur nga ata që nuk kanë asnjë vit shkollim të mbaruar (10%), ata që kanë të mbaruar 8 ose 9 vite shkollim – ekuivalente me shkollimin fillor (44%), ata kanë të mbaruara 12 ose 13 vite shkollim – ekuivalente me shkollimin e mesëm (18%).” (Gjendja e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë, nëntor 2016, Prishtinë, f.13) Zyra për komunitete në Komunën e Ferizajit, si arsye për mos vijimin e shkollimit nga ana e komuniteteve e sheh mungesën e vetëdijësimit nga prindërit si dhe arsyet financiare.
Hana Dalipi, studente e universitetit të Prishtinës në fakultetin juridik dhe pjesëtare e komunitetit ashkali thotë se si në shumicën e vendeve tjera edhe në shtetin tonë ekziston diskriminimi në mënyra dhe forma të ndryshme. Kur diskriminimi ndodh edhe në vendet më të avansuara se Kosova, kuptohet se në Kosovë është një dukuri akoma më e madhe. Kjo vjen si pasojë direkte e mos vetëdijësimit nga ana e shoqërisë, sepse mungesa e informimit dhe edukimit po e shkakton këtë dukuri. Nga ana e institucioneve mungon një gatishmëri për trajtimin e këtyre temave. Shpesh edhe institucionet bëhen diskriminuese me komununitetet. Ata në shumë raste nuk i shohin pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas si njerëz të aftë për të kryer detyra të ndryshme në institucione. Ka pasur raste që ata edhe janë habitur me aftësitë dhe gjërat që mund t’i kryejn persona të komuniteteve. Hana potencon se gratë pjesëtare të komuniteteve janë akoma më të diskriminuara sepse e ndjejnë edhe diskriminimin gjinor në përgjithësi.
Gratë e komuniteteve përjetojnë diskriminim të dyfishtë. Duke u bazuar se jetojmë në një shoqëri patriarkale ato diskriminohen fillimisht sepse janë gra, dhe së dyti pse i takojnë komuniteteve. Edhe sipas hulumtimeve të ndryshme të bëra për diskriminim e komuniteteve, vërehet se gratë e komuniteteve kanë qasje shumë më të vogël në arsim dhe punësim krahasuar me burrat.
Si rrjedhojë e këtij hulumtimi pamë se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas diskriminohen në shumë aspekte. Duke filluar nga arsimi, mirëqenia sociale, punësimi, shëndetësia, e deri te ushqimi. Faktorët për këtë gjendja janë të ndryshëm, mos zbatimi i ligjit, mungesa e vetëdijësimit të shoqërisë, kushtet e vështira ekonomike etj. Mirëpo shumica e të intervistuarve, si dhe duke u bazuar në të gjeturat e raporteve, zgjidhjen e këtij problemi për periudhë afatgjatë e shohin punësimin që do të rezultonte në stabilitet ekonomik.
Autor: Paris Guri