Në shoqërinë tonë, fëmijët me aftësi të kufizuara janë plaga jonë, dhembja e përditshmërisë dhe sfida e rinisë. Ata janë pjesa jonë, dashuria e dhembja në të njëjtën kohë, por ne, shoqëria, e në veçanti rinia duhet të punojmë për jetësimin e të drejtave të tyre shkollore, edukative e njerëzore, në mënyrë që ata të mos e ndjejnë plagën, zbrazëtinë shpirtërore dhe mungesën e fuqisë fizike. Ata, duhet përkrahur në ëndrrat e tyre rinore, siç janë: shkollimi, punësimi. Por, ç’bëjme ne sot për këtë kategori shoqërore? Flasim për dhembjen, por nuk punojmë për tejkalimin e saj, i shikojmë se si enden mendimet e tyre shterpe, pa mundësinë e realizimit të tyre. Duhet të krijojmë projekte ideore që kanë qëllim, vizion dhe synim inkuadrimin e tyre në shoqëri si pjesë e barabartë njerëzore. Ata mund të kenë një mangësi, por mund të kenë edhe shumë përparësi dhe cilësi që do të mund t’i bëjnë konkurrentë të denjë për punën, dijen dhe përparimin.