Problemet me të cilat përballen fëmijët me nevoja të veçanta dhe neglizhenca e shtetit

18 May, 2018

Fëmijët me nevoja të veçanta janë personat nën moshën 18 vjeçare të cilët kanë dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore aftagjata të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë.

Të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta mbrohen nga Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës dhe nga Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Përveç këtyre dy konventave, të drejtat e këtyre fëmijëve mbrohen dhe nga ligjet në Kosovë të cilët thonë se fëmijëve me nevoja të veçanta duhet t’u jepet ndihmë financiare nga Ministira e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Ligji për personat e verbër parasheh që personat e verbër të marrin kompenzim mujor bazuar në pagë minimale por jo më pak se 100 euro, shërbime shëndetësore falas, të u sigurohet arsimim dhe përdorimi i shkrimit brail, relievor, me shkronja të mëdha dhe tekstet në teknikën akustike dhe digjitale nga MPMS. Ligji për arsimin parauniversitar thotë se “Institucionet arsimore dhe aftësuese duhet të akomodojnë të gjithë fëmijët, pa dallim të kushteve të tyre fizike, intelektuale, sociale, gjuhësore apo të tjera dhe duhet të promovojë integrimin dhe kontaktin mes fëmijëve, nëse ka nevojë të themelohen dhoma burimore dhe klasa të përshtatshme për nxënësit me nevoja të veçanta, sipas vlerësimeve individuale e profesionale komunat janë të detyruara tu sigurojnë transport nxënësve me nevoja të veçanta”.

Sipas raportit të progresit Kosova nga ana legjislative është në rregull por ka ngecur në zbatimin e tyre. Ky raport thotë se shteti i Kosovës nuk ndanë buxhet të mjaftueshëm për të siguruar mbrojtje adekuate të këtyre të drejtave. Shteti i Kosovës sipas këtij raporti nuk po arrinë as t’u siguroj personave të shurdhër pensionin që u takon, madje shteti i Kosovës nuk po arrinë as të përfshijë fëmijët me nevoja të veçanta në sistemin arsimor pasi që nuk ka rritje të stafit profesional.

Sipas raportit të avokatit të popullit gjendja e fëmijëve me nevoja të veçanta është e rëndë pasi që akoma nuk u sigurohet transporti, nuk u sigurohet infrastruktura adekuate në shkollë, nuk kanë asistent personal gjë që sjellë mungesën e gëzimit të të drejtës për arsim cilësor. Fëmijët me nevoja të veçanta kanë dhe probleme në shëndetësi pasi shpesh nuk u sigurohen barnat falas dhe paisjet për përmirësimin e shëndetit të tyre.

Sipas Save the Children në Kosovë janë rreth 150 mijë persona me nevoja të veçanta e mendohet që rreth gjysma e tyre janë fëmijë, nga të cilët vetëm rreth 10% përfitojnë shërbime cilësore në arsim, shëndetësi e shërbime sociale. Drejtori i HandiKos tregon për radion Evropa e Lirë se ka fëmijë me nevoja të veçanta që kanë vdekur pasi që në Kosovë nuk ka shërbime shëndetësore. Ai tregon se këta fëmijë janë të liruar vetëm nga pagesa e vizitës por nuk u ofrohen shërbime të tjera, nuk marrin mjetet ndihmëse që u duhen apo medikamentet përkatëse.

Në fund të vitit 2017 deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan kundër amendamentit që do ta obligonte qeverinë e Kosovës të paguajë asistentët ose mësuesit plotësues për fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat publike. Ky votim kundër vazhdon problemet për familjet e fëmijëve me nevoja të veçanta pasi që ka familje që detyrohen që të paguajnë vet asistentët.

Problemet e famlijarëve dhe fëmijëve me nevoja të veçanta po vazhdojnë në Kosovë deri sa shteti me ligje i mbron të drejtat e tyre por jo dhe në praktikë pasi nuk u sigurohet as arsim cilësor e as shërbime shëndetësore e këto janë probleme me të cilat përballen çdo ditë fëmijët me nevoja të veçanta pasi që shteti ynë nuk po kujdeset për ta.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (No Ratings Yet)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?