Vullnetarët janë ata persona që japin kohën e tyre në mënyrë që të dhurojnë diçka më të mirë për shoqërinë, pa kurrëfarë kompenzimi.
Vullnetarizmi çdo ditë e më shumë po përhapet, me një numër të madh të të rinjëve të cilët po mundohen të kontribuojnë në shoqëri. Sipas të dhënave të fundit shihet një rritje e lartë e vullnetarëve nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës. Një rritje e tillë është vërejtur edhe në Ferizaj.
Sipas informatave që janë marrë për tri vitet e fundit, viti 2017 rezulton si një “fitore” për qytetin Ferizajt, ngase iu shtua një pasuri e madhe shoqërisë, siç është vullnetarizmi.
Një rol të rëndësishëm po luan sektori i rinisë që punon në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Ferizaj, që qëllimin e vetëm ka fuqizimin dhe mbështetjen e rinisë përmes programeve të ndryshme.
“Vullnetarët tanë janë të angazhuar në aktivitete rinore, kulturore dhe sportive, por në dy vitet e fundit janë të përkushtuar edhe në fushën e bamirësisë.
“Ndërsa gjatë vitit 2017 në sektorin e rinisë janë realizuar mbi 80 aktivitete në fusha të ndryshme” pohon Dashurie Ahmeti, shefe e sektorit të rinisë në komunën e Ferizajt.
“Prej të gjitha qyteteve nëse e marrim sektorin e rinisë ose përkatësisht Qendrën e Kulturës, ne jemi rinia më aktive dhe më e bashkuara” u shprehën vullnetarët e këtij qyteti.
Punën vullnetare e filloi nga viti 2011, kur ishte vetëm 10 vjeç. Aktivitetet në të cilat mori pjesë janë të panumërta.
“Punët vullnetare, fatmirësisht po reflektojnë në mënyrë pozitive edhe në shoqërinë time. Duke u bazuar që në vitin 2016 prej shoqërisë, vetëm dy persona bënin punë vullnetare, tash në 2018-ën punë vullnetare bëjnë afërsisht 8-10 prej tyre” thotë Leona Jahiri vullnetare në këtë komunë.
Një punë të palodhshme po bëjnë edhe OJQ-të e ndryshme në këtë qytet.
OJQ-të si: IPEDU, RIN’ON, RI’FER, INPO… Tashmë janë të njohura për të rinjtë ferizajas.
RI’FER – Si njëra prej organizatave joqeveritare me numër të madh të vullnetarëve, kanë bërë projekte ku rezultuan në te mirë të komunitetit.
“Në organizatën tonë janë gjithsej 50 vullnetarë te rregullt, duke perfshirë moshat 15-23 vjeç” thotë Driton Nuhai, i pari i OJQ-së RI’FER.
Projektet e vullnetarëve kishin të bëjnë me: përfshirjen e të rinjëve nëpër aktivitetet rinore (që si qëllim kishin socializimin me njëri-tjetrin), kishte shumë iniciativa për pastrimin e ambientit të cilat më vonë u përdorën edhe si vetëdijesim për qytetarët. U zhvilluan shumë aktivitete humanitare ku u ndihmuan shumë familje në nevojë.
Gjithashtu Ferizaj-it i’u shtuan shumë Biblioteka nëpër shkolla fillore të fshatrave duke mos harruar bibliotekën publike që u hap në bulevardin e qytetit.
Për të rinjtë ferizajas më tërheqëse dolën të jenë aktivitetet humanitare dhe ato kulturore. Ata me shumë se kurrë po mundohen t’i përkrahin fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët me sindromën DOWN dhe autizëm.
U intervistuan edhe qytetarët e komunës së Ferizaj të cilët shumica ishin të lumtur vetëm me përmendjen e emrit vullnetar.
“Duke marrë parasysh se kemi një rini të pasur me plot ide të reja, vullnet dhe shpirt të mirë… Ne jemi të lumtur me fëmijët tanë” thotë Shukri Bislimi, banor i qytetit të Ferizajt.