Mungesa e psikologëve në shkollat kosovare, problem që nuk i shihet zgjidhja afër!
Shkollat e Kosovës po vazhdojnë të përballen me mungesën e psikologëve. Ndonëse secili institucion arsimor do të duhej të kishte së paku një psikolog, edhe më tutje, punësimi i një psikologu nëpër shkollat tona konsiderohet si i paarritshëm. Kjo ka bërë që vetëm pak prej nxënësve kosovarë të kenë në dispozicion një psikolog në shkollën e tyre.
Më mirë gjendjen nuk e paraqesin as statistikat. Sipas tyre, në mbi 700 shkolla fillore dhe të mesme në gjithë vendin, vetëm 10% e tyre në përbërje të stafit kanë një psikolog, që do të merrej me nxënës. Megjithatë, institucionet tona për vite të tëra nuk i kanë dhënë prioritet shtuarjes së numrit të tyre, e një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë as në një të ardhme të afërt.
Agim Asllani, zv.drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, në Gjilan, vlerëson se çdo shkollë ka nevojë për psikolog, sepse, sipas tij, ata janë në gjendje të merren dhe të menaxhojnë më së miri problemet që ndodhin në shkolla, përfshirë edhe dhunën fizike.
“Ka shumë rëndësi që shkollat e Kosovës të kenë psikolog, sepse nxënësit në përgjithësi duhet të marrin këshilla, por njëkohësisht do t’i ndihmonin edhe mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollave në raporte me nxënësit”, vlerësoi Asllani.
Për këtë çështje, mendimin e njëjtë e ka edhe mësimdhënësja në këtë shkollë, Vjollca Zymberi. Sipas saj, prania e psikologut në shkollë dhe puna me nxënësit është e domosdoshme.
“Nxënësit janë në fazë të tranzicionit personal, ku ndodhin shumë ndryshime, andaj kontakti me psikologun u jep kahje dilemave, vështirësive dhe tejkalimit të tyre”, tha ajo, teksa shtoi se mungesa e psikologut po lë pasoja afatgjata në ndërtimin e personalitetit të nxënësve.
“Këshillat gjithnjë janë të mirëseardhura, e sidomos atëherë kur janë profesionale dhe të bazuara në rezultate pozitive. Këshillimi me psikologun shpesh na nxit të reflektojmë drejt zgjidhjeve dhe zgjedhjeve efektive”, potencoi ajo.
Tutje, Zymberi vuri në pah edhe problemet në komunikimin e nxënësve dhe mësimdhënësve.
“Nuk mungojnë as rastet e dhunës në shkolla, andaj psikologët do të luanin një rol të rëndësishëm në ndërmjetësim për të krijuar raporte të dyanshme”, konstatoi ajo.
Kujtojmë se në vitin e kaluar, anëtarë të shoqërisë civile, studentë e personalitete të shumta, ishin bërë bashkë për të kundërshtuar mospraninë e psikologëve në institucionet arsimore, edhe përkundër faktit që tashmë dhjetëra gjenerata të diplomuara psikologësh kanë dalur nga universitetet. Megjithatë, zëri i tyre nuk e pati efektin e duhur dhe një kërkesë e tillë nuk u pranua nga MASHT-i.