Një vend si Mitrovica e cila karakterizohet me pozitë shume të favorshme gjeografike, vend kodrinoro –malor, i rrethuar me tre lumenjë, i pasur me xehe nëntokësore, atëherë që sigurisht do të jetë njëri ndër vendet e parapëlqyera për vendbanim dhe për mundësi zhvillimi. Një lloj ngritje të vetëdijës e kemi të dokumentuar nga gjetjet arkeologjike, që nga neoliti e gjer në kohët e sotme. Nga objektet monoteiste e kemi një kishë e cila gjendet në Stan Tërg, rreth 9 km në lindje të qytetit të Mitrovicës e cila është e ndërtuar në shek.XIII.[1] Stan Tërgu ishte një lokalitet i njohur me pasuritë e saj minerale e që kjo bëri që në minierën e saj të punonin edhe të huaj, të cilët filluan të jetonin në Trepçë dhe filluan ta zhvillojnë jetën e tyre në vartësi të këtij vendi. Ende në Stan Tërg ekziston një lagje e cila e mban emrin “Mahalla e anglezëve”, ku këta të fundit ishin xehtarë dhe e ndërtuan kishën pasi që nuk kishin vend ku t’i kryenin ritualet e tyre. Kjo kishë quhet “Kisha e Shën Pjetrit”, latine ose e sasëve (saksëve). Trepçën apo Stan Tërgun përveç shqipëtarëve e popullonin sasët, sllavët dhe latinët.[2] Trepça si vendbanim për herë të parë përmendet në letrën e papës Benediktit XI, të quajtur “…de Trepze”, e që në këtë letër përshkruhet edhe organizimi kishtar i kishës katolike. Në këtë vend jetonte popullsia e cila i praktikonte ritualet e religjionit të krishter, që vinte nga papati i Romës.
Kisha në Stan Tërg është e ndërtuar nga sasët, puntorë xehtarë në minierën e Trepçës, për të kryer ritualet e veta pasi që ata kanë jetuar për një kohë të gjatë në Stan Tërg. Kjo kishë për herë të parë përmendet në testamentin e Radosav Bratuleviqit të hartuar në Koporiq në vitin 1440, pasi që aty shkruan se ia lë një “libër argjent”. Më pastaj, në vitin 1486 Kisha e Shën Pjetrit në Trepçë përmendet nga raguzani Gjon (Ivan) Radohniq, e që testamenti sjell edhe informata për organizimin kishtar në Trepçë. Trepça nuk kishte kishë në qytet por kisha ishte e vendosur jashtë qytetit, në Stan Tërg, thotë Marin Bici.[3]
Marin Bici e kishte gjetur kishën e kompletuar, siç shihet në punimet e tij, pasi që kur e përshkruan e tregon komplet se si ka qenë, si është dukur ajo, kishte bërë përshkrim brenda dhe jashtë saj, e që vazhdimisht e thekson se kjo kishë ishte shumë e bukur, e ndërtuar mirë, e mbushur me piktura e me kryqa të argjend.[4]
Monumente si kjo iu duhet promovimi, e që në Kosovë ka shumë objekte të tilla të cilat nuk njihen nga shqipëtarët vendas, e le më që të shpresojmë për njohjen më të gjerë. Për këtë kishë sakse në Stan Tërg nuk është bërë asnjë investim, edhe pse kjo është në listen për mbrojtjen e trashëgimisë por nuk është e konzervuar. Këtë kishë e kishin pranuar shqiptarët, ashtu siç e larguan më vonë duke e marë besimin islam por asnjëherë ata nuk tentuan ta shkatërrojnë kishën, ata e konsiderojnë të vetën, si diçka që ka vlerë.
Kisha e Stan Tërgut ka nevojë për konzervim e promovim të saj. Duhet të lavërohet më shumë në aspektin historik, arkeologjik e antropologjik. Pasi që kemi një monument sakral të kohës së Mesjetës, i cili ka qëndruar me shekuj dhe nuk është rrënuar i tëri, pjesa që ka mbetur ka pamje shumë të bukur.
Rëndësia e këtij monumenti, kësaj kishe gjendet tek shpirti i banorëve rreth saj, ata e konsiderojnë jo shumë të vlefshme por e ka rëndësinë që i lidh me të kaluarën, ua kujton familjarët që flisnin për këtë kishë, ua jep një lloj ndjesie të veçantë, e që kjo kishë nuk bënë të shkatërrohet, duhet të qëndrojë në kujtesën e tyre si diçka ekzistenciale, një mburrje, jemi vendas. Kjo të lidh me dashurinë ndaj kombit tënd, e cila dashuri është abstrakte nëse nuk do të ishin elementet lidhëse mes tyre.
[1] Grup autorësh, Mitrovica dhe rrethina, Mitrovicë 1979.
[2] Grup autorësh, Mitrovica dhe rrethina, Mitrovicë 1979, fq. 58.
[3] Gjon Berisha, Organizimi kishtar, Prishtinë 2014, fq. 145.
[4] Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore dhe të mesme, Tiranë 1963, fq. 177.