Shumica e personave me nevoja të vecanta po mbesin pa shkollë, përfshirja e tyre konsiderohet e domosdoshme

08 January, 2020

“Për shkak të gjendjes sate, ne nuk mund ta realizojmë orën e Edukatës Fizke”, ishin fjalët që mësuesja ia tha një vogëlusheje e cila ishte vetëm 6 vjeçe kur e ndërpreu shkollën. Kështu fillon historinë Leonora Gashi, 33 vjeçe nga Prishtina, e cila kujton se sfidat me të cilat është përballur në shkollimin e asaj kohe kanë qenë anashkalimi, qasja metodologjike, qasja në tualet dhe klasa e papërshtatshme, probleme që evidentohen akoma në shkollat e kësaj komune. Tutje, ajo tregon se si çdo njeri, me ose pa aftësi të kufizuara, ka dëshirë të ndërtojë një karrierë, pavarësisht paragjykimeve ose stigmës shoqërore. Se kjo kategori ka akoma probleme të tilla, konfirmon menaxheri i organizatës HANDIKOS, Behxhet Binaku. Ai, përveç mospërfshirjes në shkolla të përgjithshme, përmend probleme fizike si barrierat në rrugë, trotuare, sheshe, në hyrje të objekteve, mungesa e taksive të papërshtatshëm për përdorues të karrocave elektrike, moszbatimi i ligjit për punësim të shërbimet joadekuate shëndetësore dhe vështirësi të tjera që pamundësojnë operimin normal të tyre. Në lidhur me atë se sa janë të përfshirë në aktivitetet shoqërore këta persona, ai thotë se janë “shumë pak, për të thënë fare, përveç disa OJQ-ve që merren me persona me aftësi të kufizuara”.

Sipas tij, institucionet nuk kanë kurrëfarë strategjie për përfshirje të kësaj kategorie në aktivitete shoqërore. Ndërkohë, për të marrë një përgjigje lidhur me problemet e kësaj kategorie dhe për të marrë vesh nëse ka ndonjë plan për evitimin e tyre, janë kontaktuar edhe institucionet përgjegjëse si Ministria e Arsimit dhe Komuna e Prishtinës. Por, përgjigjja e tyre ka munguar. Për psikologen Blerta Bytyçi, përfshirja personave me nevoja të veçanta nëpër shkollat publike, ka rëndësi në aspektin emocional dhe intelektual të tyre. “Roli i gjithë përfshirjës është që mësimdhënia duhet t’i përshtatet nevojave dhe specifikave, pavarësisht nga aftësitë që ka gjithësecili”, thotë ajo. Ndër të tjera, ajo shton se në mënyrë që të arrihet gjithëpërfshirja ka nevojë për trajnime për mësimdhënësit se si duhet të punohet për përgaditjen e fëmijëve me nevoja të veçanta për gjithë vështirësitë e mundshme, mirëpo roli i psikologut është edhe për këshillëdhënie e mësimdhënësve lidhur me nxënësit me nevoja të veçanta. Megjithatë, problemi që është në shumicën e institucioneve arsimore në Komunën e Prishtinës, nuk ekziston në një prej shkollave të saj. Në shkollën Fillore dhe e Mesme e Ulët “Ismail Qemali”, personat me nevoja të vecanta vijojnë mësimin si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

“Shkolla fillore Ismajl Qemaili është komplet e specializuar prej 11 vjetësh si shkollë gjithëpërfshirëse” u shpreh Teuta Bytyqi pedagoge speciale dhe mësusese mbështëtëse në dhomën burimore. Sipas pedagoges, shkolla ku ajo punon e ka një të vecantë pasi, përvec angazhimit në mësimin e rregullt, ata përfshihen edhe nëpër aktivitetet jashtëshkollore. Ajo potencon se raporti në mes nxënësve është shumë i mirë, edhe pse ndonjëherë ka pengesa që rezulton të jetë numri i madh i nxënsëve prandaj shkolla ka psikologun, mësuesin mbështetës, pedagogen special. Ndryshe, edhe në raportin e fundit të hartuar nga UNICEF për gjithë vendin, evidentohet një situatë e ngjashme si në kryeqytet, pasi vlerësohet se shumica e këtyre personave nuk shkojnë në shkollë. Sipas hulumtimit në fjalë, nga 43.000 fëmijë me nevoja të veçanta vetëm 5.300 vijonë mësimin në shkolla publike të rregullta në Kosovë. Ndërkaq 38.000 fëmijët të tjerë për shkaqe të ndryshme kanë mbetur jashtë objekteve shkollore.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (3 votes, average: 4,33 out of 5)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?