PJESËMARRJA E GRAVE NË VENDIMMARRJE NË KOSOVË

05 October, 2021

Barazia gjinore ende është sfidë për shumicën e vendeve e sidomos në aspektin e pozitave udhëheqëse. Niveli i kësaj sfide dallon nga vendi në vend por në Kosovë është në nivel më kritik pasi që edhe jemi një vend dhe shoqëri në tranzicion. Rritja e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje është kruciale që një vend të jetë i zhvilluar dhe demokratik. Edhe pse Kosova në aspektin ligjor e cek në kushtetutën[1] e saj se Republika e Kosovës bazohet në parimin e barazisë dhe që barazinë e konsideron si vlerë themelore të zhvillimit të shoqërisë dhe vendit mirëpo në praktikë po ndodh e kundërta. Duke e ditur se gratë e përbëjnë gjysmën e popullësisë sipas statistikave që nxori Qendra Kosovare për Studime Gjinore[2] mund ta vërejmë se përqindja e pjesëmarrjes së grave në vendimmmarje është e ulët dhe lë hapësirë të madhe pa përmisime.

Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është e rëndësishme për arsye sepse balancimi mes burrave dhe grave në vendimmarrje politike dhe publike qon në zbatimin e mirëfillët të së drejtave të njeriut por edhe që vendimmarrja të jetë më efikase dhe më e mirë. Pasi që barazia gjinore është në themel të vlerave europiane dhe e mishëruar në kornizën politike dhe ligjore të Bashkimit Europian përmisimi i nivelit të pjesëmarrjes së gruas në vendimarrje do ta qonte Kosovën një hap përpara drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Gratë janë të margjinalizuara në vendimmarrje dhe udhëheqje nga një larmi procesesh që fillojnë që nga foshnjëria. Kultura patriarkale[3] në rolet gjinore në shoqërinë kosovare vazhdon t’u japë burrave një rol dominues përveç në familje por dhe në jetën publike e politike. Pengesat më të mëdha për gratë në vendimmarrje janë mentaliteti, paragjykimet dhe analfabetizmi. Grave ju mungon përvoja pasi që nga mosha e vogël ato priten që të luajnë role pasive në familje por edhe në shoqëri në dallim prej burrave. Poashtu atyre u jepet pak mundësi që të marrin vendime dhe të zhvillojnë aftësi drejtuese pasi që nga mosha e re për shkak të traditave apo edhe për faktin se ende jemi një shoqëri më tradicionale apo konservatore vajzat mbahen brenda kufijëve të familjes ku ato mbrohen dhe mësohen që t’i pranojnë vendimet e tjerëve që mirren në emrin e tyre nga prindërit, mësuesit, vëllëzrit dhe gjyshërit. E gjitha kjo shkakton në mungesën e eksperiencës, tendencë të mungesës së vetëbesimit dhe aftësive të nevojshme për të funksionuar në mënyrë efektive në pozita të ndryshme e sidomos në pozita udhëheqësie apo zyrtare. Një pengesë e shtuar për shumë është mungesa e kapacitetit të tyre për shkak të diskriminimit në qasjen në arsim dhe trajnime: në shumicën e vendeve, gratë kanë nivele më të larta të analfabetizmit dhe më pak vite shkollimi sesa burrat. Edhe kur gratë arrijnë të marrin arsim dhe hyjnë në rrjedhën e vendimmarrjes, ato shpesh margjinalizohen nga një mjedis institucional që pasqyron nevojat dhe situatën e burrave dhe injoron nevojat dhe përvojën e ndryshme të grave. Edhe pse tani në nivel shumë më të vogël analfabetizmi ende ka ndikim e sidomos në zona rurale.

Sfidë tjetër që gratë hasin janë rolet gjinore në shoqëri dhe paragjykimet që ato marrin nga shoqëria por kryesisht nga gjinia e kundërt. Orët dhe jofleksibiliteti i ditës së punës, koha shtesë, vendndodhja e punës dhe koha e udhëtimit apo edhe udhëtimet jashtë vendit e bëjnë të vështirë për gratë që punojnë për të përmbushur pritjet e dyfishta të familjes dhe roleve të tyre të punës, duke shkaktuar konflikt të roleve. Shumica e burrave nuk përballen me një konflikt të tillë, sepse shoqëria e konsideron rolin kryesor apo primar atë të punës. Edhe pse burrat luajn role të rëndsishme si bashkëshort dhe baba kjo nuk ndërhyn në rolin e tyre të punës dhe në rolin e “mbajtësit të familjes”. Në të kundërt, rolet kryesore të grave si grua dhe nënë kërkojnë vëmendjen e tyre 24 orë në ditë dhe kështu, për gratë që punojnë, duhet të kryhen njëkohësisht me rolin e punës. Nëse fëmija ose burri i saj është i sëmurë, nga ajo pritet të ndërpresë punën e saj në mënyrë që të sigurojë plotësimin e nevojave të tyre. Nëse ajo nuk e bën këtë, shoqëria ka tendencë ta gjykojë atë si një grua apo nënë “të keqe”.

Gratë duhet të dëshmojnë vazhdimisht se janë të afta, por burrat supozohet se janë të aftë. Gratë duhet të japin argumente të forta për të mbështetur pikëpamjet e tyre; burrat thjesht besohen në bazë të kualifikimeve të tyre profesionale dhe marrëdhënieve personale. Disa gra gjithashtu pohojnë se nuk ka asnjë “hapësirë” që ato të performojnë në mënyrë efektive si vendimmarrës sepse burrat dominojnë debatin, rrjetet mashkullore përcaktojnë promovimet dhe stereotipet seksiste (për shembull, supozime të tilla si “gratë nuk mund të punojnë në terren” i ndalon ata të fitojnë përvojën e kërkuar për pozicione të larta vendimmarrëse.

Sfidë tjetër e grave në vendimmarrje janë edhe paragjykimet që ato marrin për dukjen dhe paraqitjen e tyre që rezulton në komente të ndryshme. Problem i parë është që gratë gjykohen për dukjen e tyre e jo për kualifikimin dhe aftësimin e tyre professional, nëse ato kujdesen për paraqitjen e tyre zakonisht përballen me komente negative apo ofenduese.[4]

Gjatë viteve të fundit Kosova ka pasur përmisime të vogëla edhe pse kjo nuk ka ndikuar edhe aq shumë në ndryshimin e përqindjes së pjesëmarrjes të grave në vendimmarrje. Në vitin 2011, Kuvendi i Kosovës emëroi presidenten e parë grua duke e bërë Kosovën një nga vendet e para në rajon që t’i besojë detyrat presidenciale një gruaje. Përfaqësimi i grave në shërbimin civil në institucionet qeveritare në nivel qendror në vitin 2017 ishte 40.5% dhe në vitin 2018 ishte 42%. Nga këto, në vendimmarrje në vitin 2017 ishin 27.5% dhe 2018 ishin 28.7%. Ndërsa, përfaqësimi i grave në vendimmarrjen e lartë në shërbimin civil është edhe më shqetësues, me 0.4% në 2017 dhe 0.7% në vitin 2018.[5]

Barazia gjinore dhe pjesëmarrja e barabartë mes dy gjinive në vendimmarrje janë elemente kyqe për zhvilimin e vendit dhe demokratizimin e tij apo saj prandaj edhe duhet të trajtohet me rëndësinë që ka.

[1] Kushtetuta e Kosovës, neni 7

[2] Prekazi, Dafina. “Gratë Në Pozita Të Larta Vendimmarrëse Në Sektorin Publik Dhe Parti Politike.” Qendra Kosovare Për Studime Gjinore, 2017, kgscenter.net/site/assets/files/1530/1__grate_ne_pozita_te_larta_vendimmarrese_ne_sektorin_publik_dhe_parti_politike.pdf.

[3] Napikoski, Linda. “Shoqëria Patriarkale.” EFerrit, sq.eferrit.com/shoqeria-patriarkale/.

[4] “Blerim Latifi: Ndryshimet Kirurgjike Janë Aq Të Mëdha, Saqë Është Vështirë Të Njihet Atifete Jahjaga.” Korrespodenti.com, 8 Dec. 2020, korrespodenti.com/lajme/blerim-latifi-ndryshimet-kirurgjike-jane-aq-te-medha-saqe-eshte-veshtire-te-njihet-atifete-jahjaga/.

[5] Limani, Merita. “Gratë Në Vendimmarrje Në Institucionet Publike Në Kosovë.” Edited by Dardan Abazi, Instituti Për Politika Zhvillimore INDEP, Mar. 2019, indep.info/wp-content/uploads/2019/06/INDEP_Grate-ne-vendimmarrje_SHQ.pdf.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (No Ratings Yet)
Loading...

Leave a Comment:

Keni harruar fjalëkalimin?